TIRANË - Koha kur njerëzit me pushtet, të afërt me kryetarin e partisë apo ministrave, ndiheshin të paprekshëm, e bënin ligjin, qoftë edhe kundër ligjit, duket se ka perënduar në Partinë Socialiste. Miti i të fortëve tashmë është rrëzuar. Brenda muajit shkurt partia më e madhe në pushtet ka ofruar për publikun tre modele që e vërtetojnë këtë. Shembulli i fundit u dha ditën e djeshme, kur Neritan Gjojdeshi, Drejtor i Ujësjellësit të Tiranës, u shkarkua nga kjo detyrë. Shkarkimi erdhi pas një vale të gjatë protestash dhe ankesash të banorëve të kryeqytetit, e kryesisht të Kombinatit, të cilët e akuzonin për mbifaturim. 

Shqetësimi disaditësh i qytetarëve u ndoq nga ministri Sajmir Tahiri, si ish deputet i zonës, dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj thirri bordin e aksionerëve të UKT-së, për të propozuar shkarkimin e Gjojdeshit. Lidhjet e tij të ngushta me “superdeputetin” Koço Kokëdhima nuk e ndihmuan Gjojdeshin t’i shpëtonte masës administrative.

Nuk dihet nëse deputeti i Jugut tentoi apo jo të mbronte njeriun e afërt të tij, por një gjë është e sigurt, tashmë, lidhjet pas të fortëve dhe të fuqishmit, janë shumë më të brishtë kur vjen puna për përballjen me përgjegjësitë penale dhe administrative për veprimet apo mos veprimet e tyre si funksionarë shtetërore apo si të zgjedhur. Shembulli i dytë ishte arrestimi i Androkli Kokthit, në 18 shkurt të këtij viti. Drejtori rajonal i Tatimeve të Tiranës, i njohur në qarqet e ngushta si person me lidhje të afërta me Kryeministrin Rama, nuk i shpëtoi burgut, pavarësisht ngushtësisë së marrëdhënies së tij me kreun e qeverisë. Ai u arrestua me kërkesë të prokurorisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, e dy ditë më pas, u la në burg nga gjykatave me masën e sigurisë “burg pa afat”.

Deri më 18 shkurt, arrestimi i tij nuk mund të mendohej, për shkak se ai shikohej si njeri me lidhje të forta me pushtetit dhe i mbrojtur prej lidhjeve të tij. I pari ishte shkarkimi i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Kreu i arkës së shtetit, ishte i vetmi ministër që kishte sfiduar urdhrin e kryetarit të qeverisë dhe partisë së tij, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e ministrit, edhe mandatin e deputetit. Ligjvënësi i Dibrës nuk e kishte dorëzuar mandatin sikundër Rama kishte kërkuar qysh në ardhjen e tij në qeveri, duke i bërë kështu karshillik të hapur të gjithë ministrave të tjerë që hoqën dorë nga të qenit deputetë dhe pse ishin zgjedhur po një lloj nga populli. Kjo “kokëfortësi” e ministrit të Financave shkaktoi jo pak herë reagime të anëtarëve të tjerë të kabinetit, të cilët dhe pse nuk e thanë asnjëherë publikisht, e konsideruan jo normale sjelljen e ministrit Cani.

Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)