Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka postuar një mesazh në Ditën e Europës. Tabaku shkruan se BE lindi na nevoja për të rimëkëmbur një kontinent të djegur nga luftërat.

Ndër të tjera, Tabaku thotë se integrimi në familjen evropiane, është sot një nevojë e Shqipërisë dhe një mundësi për të ndërtuar në vend stabilitet dhe siguri.

“Europa e Bashkuar nuk lindi si një projekt burokratik. Lindi nga hiri i një kontinenti të djegur nga luftërat, nga dëshira për të mos lejuar më kurrë që urrejtja, totalitarizmi dhe ndarjet të shkatërronin Europën.

Schuman, Monnet, De Gasperi, Adenauer apo Churchill besuan se paqja nuk ndërtohej vetëm me traktate, por me ekonomi të përbashkët, institucione të forta dhe vlera demokratike që bashkojnë kombet.

Sot Bashkimi Europian është përballë sfidave të tjera: sigurisë, konkurrencës globale, luftës në Ukrainë, teknologjisë dhe zgjerimit. Europa nuk është më vetëm një projekt paqeje. Është një projekt force, stabiliteti dhe sigurie.

Edhe për ne shqiptarët, pas më shumë se tre dekadash, Europa nuk është më një ëndërr naive. Është nevojë. Është shtet ligjor. Është drejtësi. Është meritokraci. Është mundësia për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më europiane.

Prandaj integrimi europian mbetet objektivi ynë strategjik dhe historik. Jo si slogan politik, por si bindje reale se Shqipëria mund të transformohet dhe të bëhet një anëtare e denjë e Bashkimit Europian”, shkruan Tabaku.


Lajmi kryesor:

9 maji Dita e Europës/ Costa: E ardhmja e Shqipërisë është në BE! Rama e Begaj: Sot më afër integrimit se kurrë më parë