Burrat përjetojnë ndryshime të rëndësishme biologjike kur bëhen baballarë, të cilat nuk janë vetëm sociale apo kulturore. Kërkimet tregojnë se edhe para se të lindë një foshnjë, trupat dhe truri i burrave fillojnë të përgatiten për prindërim në mënyra të ngjashme me ata të nënave.
Studimet kanë zbuluar se baballarët përjetojnë ndryshime hormonale, veçanërisht ulje të testosteronit. Rënia e nivelit të testosteronit lidhet me përfshirje më të madhe në kujdesin ndaj fëmijëve, duke treguar se biologjia e burrave përshtatet për përkujdesje.
Një studim që mori kampionë pështyme nga 624 burra, tregoi se ata që u bënë baballarë kishin nivele më të ulëta të testosteronit krahasuar me ata që nuk u bënë. Baballarët që ishin më të përfshirë dhe kalonin më shumë kohë duke u kujdesur për foshnjat, shfaqën ndryshimet më të mëdha hormonale.
Interesante është se këto ndryshime mund të fillojnë që gjatë shtatzënisë së gruas. Studiuesit zbuluan se burrat që prisnin të bëheshin baballarë shfaqin nivele të reduktuara të testosteronit dhe vazopresinës muaj para lindjes, megjithëse shkaku i saktë i këtij ndryshimi të hershëm mbetet i paqartë.
Në të njëjtën kohë, hormonet e lidhjes emocionale, si oksitocina, rriten. Ky “hormon i dashurisë” rritet përmes kontaktit fizik dhe ndërveprimit me foshnjën, duke forcuar lidhjen emocionale dhe përkujdesjen
Hormone të tjera, si prolaktina, luajnë gjithashtu rol. Nivelet më të larta të prolaktinës tek baballarët kanë të bëjnë me një lidhje më të fortë para lindjes dhe me përfshirje më të madhe pas lindjes së fëmijës.
Përtej hormoneve, të bërit baba ndryshon edhe trurin. Studimet tregojnë se baballarët e rinj përjetojnë përshtatje nervore që i ndihmojnë të reagojnë ndaj nevojave të fëmijës, në mënyrë të ngjashme me veçoritë që janë vënë re te nënat.
Këto ndryshime në tru ndikohen nga përfshirja: baballarët që ndihen më të lidhur ose duan të jenë aktivë në kujdesin dhe rritjen e fëmijës tregojnë zhvillim më të madh neurologjik. Ky tranzicion madje është krahasuar me një adoleshencë të dytë.
Studimet tregojnë gjithashtu se të gjithë njerëzit kanë një aftësi të lindur për përkujdesje, e cila mund të aktivizohet në kushtet e duhura. Në disa raste, si tek baballarët që janë edhe kujdestarë të vetëm të fëmijës, aktiviteti i trurit i ngjan shumë atij që zakonisht lidhet me nënat.
Në përgjithësi, përfshirja e babait në kujdesin e foshnjes sjell përfitime për familjen. Ai ndihmon shëndetin mendor të nënave dhe kontribuon në rezultate më të mira për fëmijët, duke përforcuar idenë se përkujdesja e babait është një pjesë themelore e biologjisë njerëzore.
Komente









