Prej shekujsh, natyra ka qenë aleatja më e çmuar e njeriut në ruajtjen e shëndetit. Ajo na ka dhuruar bimë me vlera të jashtëzakonshme, të përdorura brez pas brezi për parandalimin dhe lehtësimin e shumë shqetësimeve shëndetësore. Edhe sot, studimet vijojnë të konfirmojnë vetitë e dobishme të shumë prej këtyre dhuratave të natyrës.
Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti", në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, u ndal te një prej bimëve më të çmuara të mjekësisë popullore – bishtamithi, i njohur edhe si mijëfletëshi. E përdorur që në lashtësi për vetitë e saj terapeutike, kjo bimë është e pasur me vitamina, minerale dhe përbërës bioaktivë me veprim antibakterial dhe antiinflamator. Por cilat janë mënyrat më të mira të përdorimit të saj dhe për cilat probleme shëndetësore rekomandohet?
"Bima e bishtamithit, ose mijëfletëshi siç njihet në popull, është përdorur që në lashtësi. Sipas traditës, edhe Akili e përdorte për mjekimin e plagëve të luftëtarëve. Sot ajo është ndër bimët më të studiuara në Evropë për vetitë e saj terapeutike, të cilat lidhen me bashkëveprimin e shumë përbërësve bioaktivë. Është e pasur me vajra esencialë, flavonoide dhe kuercetinë, duke shfaqur veti antiinflamatore, antimikrobike, antifungale, qetësuese dhe rigjeneruese," shprehet Merja.
Sipas specialistit, bishtamithi ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, mbron enët e gjakut, përmirëson mikroqarkullimin dhe forcon kapilarët, duke kontribuar në uljen e proceseve inflamatore. Përmbajtja e acideve fenolike dhe substancave të tjera bioaktive i jep bimës veti antibakteriale dhe mbrojtëse për qelizat. Gjithashtu, ajo ndihmon në ndalimin e gjakderdhjeve të vogla, mbron mukozën e stomakut dhe zorrëve, përshpejton shërimin e plagëve, lehtëson tretjen, qetëson spazmat e stomakut dhe zorrëve, si edhe dhimbjet menstruale. Tradicionalisht përdoret edhe për lehtësimin e simptomave të ftohjes dhe gripit.
"Bishtamithi është një burim i pasur vitaminash dhe mineralesh, duke e bërë një bimë me vlera të veçanta ushqyese. Ai përmban kalium, kalcium, magnez, fosfor, hekur dhe zink, si edhe vitamina A, C, E, K dhe vitaminat e kompleksit B," thekson Merja.
Si një bimë e pasur me vitamina dhe minerale, bishtamithi mund të përdoret në formën e çajit, zakonisht në 2–3 filxhanë në ditë.
Përdorimet e bishtamithit (mijëfletëshit)
Për sistemin tretës dhe diarrenë:
Në 3 gota ujë zieni një lugë gjelle mijëfletësh, dy degëza rigon dhe tre degëza bar majasilli. Çaji pihet gjatë ditës, i ëmbëlsuar me mjaltë dhe me një lugë çaji uthull molle.
Për qetësimin e dhimbjeve menstruale:
Në 3 gota ujë zieni për 2–3 minuta një dorë mijëfletësh, një dorë kalendulë dhe një lugë gjelle melisë.
Për spazmat e stomakut dhe zorrëve:
Përgatitet një çaj me mijëfletësh, kamomil, melisë dhe mente.
Për ftohje dhe grip:
Në 3 gota ujë zieni një dorë bishtamith dhe 3 lugë gjelle brokomer.
Për ankthin:
Në 3 gota ujë zieni një dorë bishtamith dhe 3 lugë gjelle çaj "Harmonia".
Komente










