Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA) ka përfshirë ofrimin e akreditimit edhe në fusha të reja, si laboratorë mjekësore, mjedis dhe organizma certifikues të personelit, duke vijuar të rrisë numrin e organizmave të akredituar.

Në 6 muajt e parë të vitit, pranë DPA-së janë akredituar 7 organizma të reja, duke arritur në total në 37 organizma të vlerësimit të konformitetit, bëjnë të ditur burime zyrtare të DPA-së. Tani, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, si i vetmi organizëm kombëtar akreditues në vend, i ka dhënë fund ekzistencës së dy organizmave akreditues, sikurse ishte deri sivjet rasti i laboratorëve mjekësorë.

Ndër objektivat e afërme, DPA synon përshpejtimin e procesit të akreditimit, rritje të profesionalizimit, përmirësim të skemave të akreditimit, etj me ligjin e ri të miratuar sivjet, ndërsa ka aplikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve të njohjes reciproke me Organizmin Evropian të Akreditimit në fushën e testimit.

Procesi i akreditimit vijon me të gjitha institucionet shtetërore që ofrojnë aktivitet në vlerësimin e konformitetit, si shprehje e performancës që kanë. Interes po paraqesin dhe bizneset, të cilët ushtrojnë aktivitet me qëllim që përmes akreditimit, produktet dhe shërbimet e ofruara prej tyre të bëhen më të kërkuar nga konsumatorët. Rritja e nivelit të ndërgjegjësimit mbi vlerat e akreditimit, si mekanizëm që garanton një treg me produkte e shërbime cilësore për të gjithë, në përputhje të plotë me standardet evropiane, synon domosdoshmërinë e rritjes së cilësisë dhe sigurisë së produkteve.

ATSH