Prej tri ditësh në Shqipëri po zhvillohen dy protesta njëkohësisht, të cilat në fakt nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. E para është ajo që duhet eksportuar jashtë, në mediat ndërkombëtare, dhe që paraqitet si një revoltë e studentëve për kushtet në universitete dhe pasigurinë për të ardhmen. Nguti i tyre për ta kategorizuar protestën e Shqipërisë krahas atyre të Parisit, Madridit, Bolivisë apo Kilit, është i kuptueshëm duke patur parasysh distancën kulturore, që me gjithë shpejtësinë e teknologjisë, është e vështirë të reduktohet.
Protesta tjetër është ajo që po zhvillohet realisht në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, ku protestuesit janë më entuziastë se po “rrëzojnë komunizmin” dhe po çojnë në vend “amanetin e Skënderbeut,” se sa do duhej të ishin për shqetësime që prekin realisht jetët e tyre. Shqetësime, të cilat në fakt i shpërfillin me ironi, duke i quajtur të parëndësishme sa herë iu drejtohet mikorofoni.
Por, nëse media ndërkombëtare mund të tundohet nga portretet e të rinjve përballë kordonëve policorë, apo nga imazhet e njerëzve me flamuj mbi kosha që digjen, ne të tjerët kemi më pak arsye ta bëjmë këtë sepse veç figurës, që ndonjëherë të gënjen, kemi edhe zërin. Dhe në fakt, shumica e ankesave të protestuesve që janë këto ditë në rrugë, i ngjasojnë më tepër një retorike në kufijtë e fashistes se sa protestës së njerëzve që e dinë çfarë nuk shkon me jetët e tyre dhe kërkojnë t’iu zgjidhen problemet.
Kjo e bën edhe më të çuditshëm koalicionin që është krijuar prej muajsh mes grupeve të majta dhe kësaj mase gjithnjë e më të zhurmshme populiste dhe shpesh hapur ksenofobe. Të parët kanë hyrë në këtë aleancë me idenë se mund ta përdorin zemërimin e të dytëve kundër qeverisë, duke shtyrë për më vonë debatet për atë se çfarë politike duhet ta zëvendësojë qeverinë. Por pesë muaj më pas, duket se ka ndodhur e kundërta. E majta jo vetën nuk i ka edukuar dot populistët, por këta të fundit kanë detyruar grupet e majta të përshtasin ligjërimin gjatë protestës.
Kjo duket edhe te mënyra se si disa aktivistë të majtë përpiqen ta justifikojnë dhunën përmes një ideologjie, që vetë autorët e saj nuk e njohin dhe as nuk e pranojnë. Djegia e bankave apo sulmet ndaj bizneseve po përshkruhen në rrjet si revoltë kundër kapitalit, ndërkohë që po ta dëgjonin këtë autorët e atkeve të dhunës, me gjasë do t’i merrnin me gurë si komunistë. Ky është absurditeti i këtij koalicioni hipokrit mes organizatorëve, ku njëra palë sheh luftë klasash, ndërsa tjetra flet për luftë kundër komunizmit.
Por, ajo që është edhe më e vështirë të kuptohet, është se jemi ndoshta nga të pakëtat vende që prodhojmë revolta studentore, ku ligjërimi dominues është ai i të djathtës ekstreme, në kufijtë e fashizmit. Thuajse kudo, studentët janë ndër grupet me arsyet më të forta për të kërkuar më tepër nga shteti. Kjo sepse shpesh, për shkak se iu duhet t’ia dedikojnë shumicën e kohës studimit, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme , ose ndoshta nuk kanë fare; janë gjithashtu ajo shtresë e shoqërisë që përballet e para me një të ardhme të pasigurt dhe presionin e punëdhënësve, që për shkak të mungesës së eksperiencës i shohin si krah i lirë pune. Në shumicën e vendeve, kjo brishtësi sociale i ka shtyrë studentët historikisht drejt politikave që këkrojnë rishpërndarje apo më shumë investime publike dhe mbrojtje sociale.
Tek ne, pasiguria po përkthehet në frikë nga të huajt, ankth për zhbërjen e kombit dhe fantazitë e zëvendësimit kulturor.
“Ne jemi ata që duam të rrimë,” mund të kishte qenë një slogan i fortë politik, që kërkon qira më të ulëta, paga më të larta, apo kushte më të mira në universitete, por tashmë është kthyer në fjalinë hapëse të argumenteve shpesh raciste.
Kjo mjafton për të kuptuar se çfarë po ndodh vërtet në rrugë. Flakët mund t’i ngjajnë atyre të Parisit. Politika, jo edhe aq./ TemA










Komente
Komento