Shtetet e Bashkuara thonë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Evropën për t’u furnizuar me energji në kushtet e shqetësimeve mbi furnizimet nga Rusia dhe krizën e lidhur me Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit e shprehu këtë angazhim të hënën, gjatë takimit të Këshillit SHBA-BE për energjinë në Uashington.
Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me qeveri dhe prodhues gazi në gjithë botën për burime shtesë energjie për Evropën.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell tha se Rusia nuk ka hezituar të përdorë furnizimet me gaz për Evropën si armë për përfitime politike.
Ai shtoi se “duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të tregojmë vendosmëri për të konsoliduar sigurinë energjitike për Evropën dhe fqinjët tanë në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor”.
Më herët Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po krijon një partneritet për sigurinë energjitike me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për shtimin e furnizimeve të tyre për Evropën.
Von der Leyen: Kremlini po vazhdon të përdorë furnzimin me gaz si mjet presioni politik
Përshkallëzimi i tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës lidhur me Ukrainën ka ngjallur shqetësime për furnizimin me gaz rus të Evropës. Çmimet janë rritur në nivele rekord muajt e fundit, mes të tjerash për shkak të uljes së sasisë së importeve nga Rusia.
Rezervat e gazit në Evropë janë rreth 10% më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit. Gazprom ka thënë se po përmbush të gjitha kontratat afatgjata, por është akuzuar nga zyrtarët e BE-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë se po dërgon sasi të pamjaftueshme gazi në Evropë në mes të krizës për Ukrainën.
Zonja Von der Leyen tha se është "e çuditshme" që Gazpromi nuk ka rritur furnizimin me gaz të Evropës, pavarësisht çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë.
"Ka shenja në rritje se Kremlini po vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si mjet presioni politik," tha ajo.
Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit të BE-së. Pasojat e mundshme në sasinë e furnizimin nëse Rusia pushton Ukrainën kanë nxitur BE-në të rrisë importin nga vende të tjera.
BE-ja ka thënë se infrastruktura e saj e magazinimit dhe aftësia për të importuar më shumë GNL duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë vendet nga pasojat e rënda të mungesës së gazit, por analistët thonë se ndërprerja e plotë e furnizimit nga Rusia do të sillte nevojën e masave urgjente, si për shembull mbylljen e disa fabrikave.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Von der Leyen tha se çmimet e gazit mund të vazhdojnë të mbeten të larta. Shumica e vendeve të BE-së kanë zbatuar lehtësime në taksa, subvencione dhe masa të tjera për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e faturave në përgjigje të rritjes së fundit të çmimeve.
"Nuk përjashtohet mundësia që çmimet e gazit të mbeten të larta për një kohë të gjatë," tha ajo.
Konsolidimi i sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor
SHBA dhe BE shprehën mes të tjerash angazhimin për të konsoliduar sigurinë energjitike në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë punuar krah për krah për objektivin afatgjatë të kalimit tek energjia e pastër.
“Ndoshta askund nuk mund ta shohim më qartë forcën e bashkëpunimit SHBA-EU për energjinë e pastër sesa në Ballkanin Perëndimor. Për vite të tëra Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përpjekjet për të lidhur rrjetet energjetike të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Evropian, për të përshpejtuar tranzicionin larg qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse fosile. Njëkohësisht BE-ja ka ofruar grante dhe investime për të ndihmuar në zhvillimin e rrjeteve energjitike të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë më së fundmi përmes Planit të Veprimit të Axhendës së Gjelbër”, tha ai.
Zoti Blinken shtoi se përpjet e përbashkëta kanë sjellë rezultat, përfshirë “krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës”, dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon.
Zoti Borrell tha se BE-ja po bën përpjekje për të siguruar burime të reja energjie jo vetëm për bllokun por edhe “për fqinjët tanë në Ukrainë, Moldavi dhe Ballkanin Perëndimor”.
Në deklaratën që doli pas takimit të Këshillit, SHBA-ja dhe BE-ja rikonfirmuan rëndësinë e tregjeve transparente, të integruara dhe konkurruese të energjisë në Ballkanin Perëndimor, dhe të reformave të tregut dhe kuadrit rregullator, në përputhje me politikën e zgjerimit të BE-së dhe detyrimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
“Këshilli duhet të vazhdojë koordinimin për tregun e energjisë dhe reformat rregullatore dhe mbështetjen për heqjen dorë nga karboni Ballkanin Perëndimor, në veçanti për të hequr dorë gradualisht nga qymyri për prodhimin e energjisë dhe nga subvencionet joefikase të karburanteve fosile”, thuhet në deklaratë./VOA