Bllokimi i zgjedhjeve, PD plan
për tërheqjen e anëtarëve të KQZ

Bllokimi i zgjedhjeve, PD plan<br />për tërheqjen e anëtarëve të KQZ
Opozita shqiptare pritet të përshkallëzojë qëndrimet dhe lëvizjet në raport me zgjedhjet e 18 Qershorit, për t’i imponuar shumicës krijimin e një qeverie me bazë të gjerë si dhe shtyrjen në kohë të zgjedhjeve parlamentare.

Krahas shtimit të dy kushteve në fund të javës së katër të protestës me turne para Kryeministrisë, Partia Demokratike mësohet se po përgatitet për një tjetër hap radikal, për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve në 18 Qershor, sikundër është përbetuar prej më shumë se një muaj.

Konkretisht, pas refuzimit për të propozuar anëtarët për KZAZ dhe tërheqjes së dokumentacionit për regjistrimin e disa partive në zgjedhjeve, fronti opozitar do të shohë mundësinë për të tërhequr anëtarët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çka do të vështirësonte punën e KQZ për administrimin e zgjedhjeve, sidomos sa i përket miratimit të një numri vendimesh me shumicë të cilësuar.

Shqiptarja.com ka mësuar nga përfaqësuesit e partive opozitare se, tërheqja e tre anëtarëve të KQZ, dy përfaqësues të Partisë Demokratike dhe një i Partisë Republikane, do të jetë hapi i radhës, në kushtet e mungesës së reflektimit nga ana e mazhorancës qeverisëse.

Partitë opozitare nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar për tërheqjen e anëtarëve nga KQZ, por një plan i tillë, sipas burimeve, ka nisur të lakohet sidomos pas tre takimeve të Lulzim Bashës dhe aleatëve me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë, takime të cilat nuk kanë dhënë asnjë shpresë për zgjidhjen e ngërçit politik.

Që pas protestës së 18 Shkurtit, opozita ndryshoi kushtet, duke hequr dorë nga votimi dhe numërimi elektronik, ndërsa kërkoi krijimin e një qeverie teknike. Po ashtu, që nga ngritja e çadrës në bulevard, krerët e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do të ketë zgjedhje në 18 Qershor me Edi Ramën kryeministër. Dy ditë më parë, opozita ka shtuar edhe dy kushte të tjera: Shtyrjen e zgjedhjeve dhe tërheqjen e propozimit për emërimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm.

Bllokimi i vendimmarrjeve të rëndësishme
Nëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane do të tërheqin anëtarët e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta kishte të pamundur për miratuar disa vendime me shumicë të cilësuar, prej pesë anëtarësh, për administrimin e zgjedhjeve. Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon që konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet, caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi etj. Në një situatë të tillë, në lojë do të futej Kolegji Zgjedhor, i cili konsiderohet një pikë e fortë për Partinë Demokratike, për shkak të zgjedhjes me short të Gjin Gjonit si anëtar i gjykatës së zgjedhjeve.

Ultimatumi
Disa ditë më parë, partitë opozitare, përmes një letre, paralajmëruan KQZ se nuk mund të ketë zgjedhje pa krijimin e një qeverie teknike. Edhe pse KQZ është konsiderohet si një institucion teknik, i cili në bazë të ligjit zgjedhor thjeshtë administron zgjedhjet, partitë opozitare, me anë të letrës, njoftuan komisionin se nuk do të regjistroheshin në zgjedhje. Në këtë kuadër, disa parti aleate të Partisë Demokratike tërhoqën dokumentacionin për regjistrimin në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike dhe Partia Republikave refuzuan të propozonin brenda afatit ligjor anëtarët për Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor, ka vijuar procedurat dhe vendimmarrjet, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 18 Qershorit.
 
Lëvizja
Pas refuzimit për propozuar anëtarët për KZAZ dhe tërheqjes së dokumentacionit për regjistrimin në zgjedhjeve, fronti opozitar ka në plan të tërheqë anëtarët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
 
Pasojat
Nëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane do të tërheqin anëtarët e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta kishte të pamundur për miratimin e disa vendimeve me shumicë të cilësuar, prej pesë anëtarësh, për administrimin e zgjedhjeve.
 
Udhëzimi kundër bojkotit të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zbatimin e një strategjie për të shpëtuar ligjërisht zgjedhjet e 18 Qershorit nga një skenar i Partisë Demokratike për sabotimin e procesit, si një zgjidhje ekstreme për të evituar një tjetër humbje të mundshme në 18 Qershor. Bëhet fjalë për të njëjtin udhëzim, i cili u përdor nga Partia Demokratike, si masë parandaluese ndaj një bojkoti të mundshëm të Partisë Socialiste të zgjedhjeve të 2013. Në shkurt të 2013, KQZ, asokohe nën kontrollin e Partisë Demokratike, e cila kishte shumicën në komision, miratoi një udhëzim për përzgjedhjen dhe trajtimin e një grupi qytetarësh, të cilët mund të emëroheshin si anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve dhe Komisioneve të Qendrave të Votimit, nëse opozita e atëhershme, në një moment të caktuar, mund të tërhiqte komisionerët për të prishur zgjedhjet. KQZ aktuale, bazuar në këtë udhëzim, disa ditë më parë, ka shpallur procedurën e aplikimit për shtetasit që kanë interes për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, që do të ngrihen për zgjedhjet parlamentare.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg