Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale për t’u interesuar lidhur me ecurinë e gjendjes shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Ai shkruan se Kryepeshkopi Anastas ka dhënë shumë për ringritjen e Kishës tonë Ortodokse dhe për forcimin e besimit dhe të vlerave.
'Zhvillova sot një bisedë telefonike me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale për t’u interesuar lidhur me ecurinë e gjendjes shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Në emër të Partisë së Lirisë, të Presidentit Ilir Meta dhe timin personal, përcolla urimin për shërim të shpejtë dhe të plotë për Fortlumturinë e tij.
U bashkohemi lutjeve për rikthimin e tij sa më parë në misionin e bekuar dhe në krye të punëve të mira në dobi të Kishës dhe besimtarëve duke nderuar përgjithmonë me respekt dhe mirënjohje kontributin jashtëzakonisht të vyer dhe të vlerësuar që Kryepeshkopi Anastas ka dhënë në dekada për ringritjen e Kishës tonë Ortodokse, për forcimin e besimit dhe të vlerave më të mira të shoqërisë', tha ai.
Kryepiskopi Anastas fillimisht u shtrua më datën 30 dhjetor 2024 në një spital privat në Tiranë, për shkak të një viroze stine.
Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar, ku u shtrua në spitalin 'Ungjillëzimi'.