TIRANE - Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës Gjergj Bojaxhi foli sot për mungesën e infrastrukturës për kalimtarët. Gjatë takimeve në zonën e Sanatoriumit, Bojaxhi u shpreh se deri më sot “vizioni për zhvillimin e qytetetit ka qenë ai i një fjetine pa asnjë konsideratë për sigurinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Sipas Bojaxhi, ky vizion primitiv është i dukshëm më shumë se kudo tek infrastruktura rrugore. “Deri më sot rrugët janë parë si infrastrukturë për lëvizjen e makinave pa menduar për këmbësorët.

Sa herë që janë ndërtuar apo rindërtuar rrugë, janë sakrifikuar kalimtarët: rrugët janë zgjeruar kurse trotuaret janë ngushtuar ose zhdukur fare. Një rast i tillë tipik është ai  i zonës së Sanatoriumit ku sapo janë rindërtuar disa rrugë por trotuaret janë aq të ngushta sa nuk mundësojnë as ecjen e një këmbësori," - tha Bojaxhi.


Bojaxhi deklaroi se ai do t’i ndërrojë prioritetet dhe rëndësia kryesore do t’u jepet kalimtarëve. Ai tha se se trotuarët do të zgjerohen, do të çlirohen nga zaptimet e paligjshme dhe nga të gjitha objektet e reklamave dhe tabelave private për t’i liruar në favor të këmbësorëve. 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)