Dje kishte zgjedhje për 5 kryetarët e rinj të bashkive në Berat, Vlorë, Tepelenë, Cërrik e Mat. Lajmi nuk është rezultati por pjesëmarrja e ulët në votime rreth 18%. Në këtë ditë zgjedhjesh, rrugët ishin të qeta në këto qytete, si para një stuhie që nuk do të vijë kurrë. Populli, që dikur rreshtohej me shpresë në radhë për të votuar, tani rri në shtëpi, duke parë ekranin e televizorit si një dritare pa ajër. Në vend të dinamikave që prodhon një garë, ndjehet një heshtje e rëndë, një heshtje që s’është paqe, por dorëzim.
Kjo është pamja më e dhimbshme e një demokracie, kur populli nuk çohet më as për të zgjedhur, as për të kundërshtuar. Kur kutitë e votimit mbushen jo me vota, por me boshllëk. Dhe në atë boshllëk, pushteti dëgjon vetëm zërin e vet.
Nuk është se njerëzit nuk kanë arsye për t’u zemëruar. Ata kanë parë premtime që shuhen si qirinj në erë, fytyra që kthehen në pushtet si hije që nuk i largon dot as drita. Kanë parë drejtësinë të kthehet në mall, shtetin në pronë, dhe politikën në treg. Por kur zhgënjimi kthehet në heshtje, ai pushon së qeni protestë dhe bëhet varr. Dhe ne po e varrosim demokracinë tonë me çdo votë që nuk hidhet.
Të mos votosh nuk është akt rebelimi është akt amnezie por edhe agonie. Është harresa e sakrificave që ndërtuan këtë të drejtë. Është harresa e atyre që votonin fshehurazi në diktaturë, që rrezikonin jetën për një fletë që nuk shprehte vetëm zgjedhje por edhe liri. Dhe sot që e kemi votën të lirë, e kemi bërë të pavlefshme me moskujdesin ose indiferencën tonë.
Nëse një popull nuk flet me votë, dikush tjetër do të flasë në emrin e tij.
Nëse kutitë janë bosh, dikush do t’i mbushë, jo me zëra, por me numra.
Dhe nëse shpresojmë se heshtja është dënim për politikanët, gabohemi rëndë, ata e duan heshtjen tonë. Ajo është oksigjeni i tyre. Sepse një popull që nuk voton, nuk pyet. Dhe një popull që nuk pyet, mund të udhëhiqet në errësirë.
Zgjedhjet nuk janë festë e politikës, por provimi i qytetarisë, dhe në këtë provim kaq të rëndësishëm po dështojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe të thellë. Kutitë e votimit janë pasqyra ku shohim fytyrën e vërtetë të këtij vendi, sa shumë ankohemi dhe sa pak veprojmë.
Të votojmë nuk do të thotë të besojmë verbërisht, do të thotë të mos heqim dorë, sepse një vend që hesht, humb zërin. Dhe një popull pa zë, humb gjithçka.
Komente













Të votosh do të thotë të zgjedhësh apo jo?! Kur nuk ka alternativë për të zgjedhur atëhere qorr për qorr e kam në oborr thonë tironcit.
Përgjigju