Bomba në ambasadën sovjetike,ja si u
masakruan 22 intelektualë shqiptarë

Bomba në ambasadën sovjetike,ja si u<br />masakruan 22 intelektualë shqiptarë
Incidenti i ambasadës u shfrytëzua për të shpërthyer një terror në masë ndaj intelektualëve Më 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00 në pjesën e hyrjes së Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, sot Ministria e Arsimit u hodh një lëndë eksplozive.

Kush e hodhi atë "bombë" që nuk vrau dhe nuk plagosi asnjeri? Kush ishin ekzekutorët dhe organizatorët e atij "atentati"? Versionet janë të ndryshme, por ai më i besueshmi është se, "incidenti që ngjan si dy pika uji me vrasjen e Kirovit, më 1 dhjetor të vitit 1934, (ish-Sekretar i Partisë Bolshevike të Leningradit, sot Petërburgu), është organizuar nga Sigurimi i Shtetit shqiptar dhe i ideuar drejtpërsëdrejti nga diktatori Hoxha. Incidenti i ambasadës u shfrytëzua për të shpërthyer një terror në masë ndaj intelektualëve dhe patriotëve kryeqytetas që shikoheshin me sy të shtrembër, nga pushteti komunist.

Ato ditë kishte mbërritur në Tiranë një delegacion kulturor sovjetik, për të marrë pjesë në manifestimet që do të organizoheshin me rastin e 33-vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe. Pikërisht, më 19 shkurt të vitit 1951, ditën që ndodhi hedhja e bombës, ambasada ruse do të jepte një pritje për delegacionin e ardhur nga Moska.

As ministri i Brendshëm i asaj kohe, Mehmet Shehu, që raportoi në mbledhjen e Byrosë Politike të 20 shkurtit për këtë incident dhe asnjë anëtar tjetër i Byrosë Politike nuk përmendi me emër atentatorët dhe organizatorët e atij incidenti. Madje, Enver Hoxha propozoi në Byronë Politike, që mos të zihet në gojë hedhja e "bombës" në Ambasadën Sovjetike në telegramin që do t'i dërgohej Stalinit.

Përse të ndodhte kështu? A mos vallë hedhja e eksplozivit është kryer nga elementë antikomunistë të pamanipuluar nga Sigurimi i Shtetit? Në fjalimet e M. Shehut dhe të E. Hoxhës botuar në gazetën "Zëri i Popullit" në datat 2 dhe 3 mars 1951, justifikohet terrori dhe nuk përmendet aspak incidenti në ambasadën sovjetike. Sipas dëshmive të ish-të burgosurve politikë të asaj kohe dhe të ish-oficerëve të lartë të Sigurimit, që u dënuan më vonë nga diktatura, emrat që lakohen për hedhjen e eksplozivit janë: Hysen Llulla dhe Qazim Laçej.

Hysen Llulla ishte një djalosh 20-vjeçar krutan, trim dhe antikomunist i vendosur, pjesëtar i Grupit të Rezistencës. Dihet se ky grupim, më vonë ra në duart e Sigurimit dhe u manipulua prej tij. Nuk është aspak çudi që Hysen Llulla të ketë vepruar në hedhjen e eksplozivit në mënyrë krejt individuale. Mbas disa ditësh, ai u vra në rrugën e "Shëngjergjit" (sot rruga "Ali Demi") në përpjekje me agjentët e Sigurimit.

I përfoluri i dytë për kryerjen e atentatit ishte oficeri i Policisë Rrugore, Qazim Laçej. Ai në mbrëmjen e 19 shkurtit, ishte caktuar me detyrë në afërsi të ambasadës. Flitet se Qazimi e hodhi bombën i shtyrë nga motive anarkiste, për të parë pështjellimin që do të shkaktonte në dikasterin e tij hedhja e bombës. Më 20 shkurt, Qazim Laçej,
arrestohet për mosvigjilencë në kryerjen e detyrës, por kur mësoi në qeli se ai ishte bërë shkaktar për një terror masiv, mori përsipër vullnetarisht hedhjen e bombës.

U dënua me vdekje dhe brenda ditës u ekzekutua. Nuk dihet me siguri, nëse Qazim Laçaj u sakrifikua për hir të "Nënës Parti", apo zbatoi urdhrat e dikasterit të tij kobzi, apo ishte një veprim individual i tij. Enigmën e atij antentati e kanë marrë me vete në varr ata që e përgatitën dhe ai që e kreu.

Për parapërgatitjen e vrasjes së 22 viktimave, më 27 shkurt të vitit 1951, ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme. Po përmendim vetëm dy prej tyre. 1. Hapja para atentatit, e gropës ku do të groposeshin kufomat. 2. Hartimi i listave në fillim të muajit shkurt nga Ministria e Punëve të Brendshme për ata që do të arrestoheshin, do të dënoheshin dhe do të pushkatoheshin.

Listat ishin të firmosura nga Rasim Deda dhe Edip Çuçi. Dëshmitarët okularë nga fshatrat Mënik dhe Vaqar të Tiranës midis tyre Kadri dhe Selam Hysa, deklaruan se në datat 18 dhe 19 shkurt 1951, një togë policësh kanë hapur një gropë në afërsi të Urës së Beshirit me dimensione 8 x 8 x 1.5m. Vendi është ruajtur me policë deri në mesnatën e 26 shkurtit, kur janë pushkatuar 22 viktimat e të ashtuquajturit komplot i "atentatit" për hedhjen e "bombës" në Ambasadën Sovjetike.

Fshatarët kishin dëgjuar atë natë, batare pushkësh dhe automatikësh dhe ulërimat e një gruaje nga vendi ku ishte hapur gropa, disa ditë përpara. Ata fshatarë, pas vitit 1990 ndihmuan familjet e viktimave për të gjetur vendin ku ishin pushkatuar të afërmit e tyre, para katër dekadash.

Nga ana tjetër, ish-Gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, i asgjësuar misteriozisht në Spitalin burg të Tiranës, në vititn 1974, u ka deklaruar bashkëvuajtësve të tij se, listat për arrestimin e personave për incidentin e 19 shkurtit në ambasadën sovjetike, ishin hartuar në fillim të shkurtit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ishin miratuar nga diktatori Hoxha. S'ka asnjë dyshim se masakra e shkurtit të vitit 1951, kishte edhe dorën e këshilltarëve sovjetikë pranë Sigurimit shqiptar.

Dekreti 1223 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, u firmos nga kryetar, aventurieri politik, Omer Nishani, agjent i Kominternit dhe anëtar i Këshillit të Lartë Fashist (1939-1942). Mbas disa vjetësh, Omer Nishani u hodh në koshin e plehrave nga diktatori Hoxha dhe u detyrua t'i jepte fund jetës me një plumb në kokë.
Dekreti 1223 i aprovuar me nxitim në datën e 26 shkurtit kishte vetëm 6 nene dhe parashikonte që brenda 10 ditësh, për akte terroriste, të bëhej arrestimi, hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit, pa të drejtë apelimi.

Dekreti ishte një kopjim fjalë për fjalë i dekretit stalinian të 10 dhjetorit 1934, mbas vrasjes së Kirovit, më 1 dhjetor të atij viti. Me atë dekret, filloi në Bashkimin Sovjetik, terrori i madh që brenda katër vjetëve (1934-1938) sipas historianit francez, Robert Konkuest, u arrestuan 6 milionë vetë, u ekzekutuan 3 milionë prej tyre dhe vdiqën nëpër kampet e punës 2 milionë vetë. (Libri i zi i komunizmit) Shefi i GPU-së sovjetike, shkurtabiqi Jezhov, thotë se brenda 3 ditëve mbas vrasjes së Kirovit u arrestuan 15 098 veta, gjysma e të cilëve mbas 10 dhjetorit u ekzekutuan.

Por, le të kthehemi në mbrëmjen e 19 shkurtit të vitit 1951, kur mbas hedhjes së eksplozivit, rrugët e Tiranës gumëzhinin nga makinat e Sigurimit. Ja se ç'tregon një nga të arrestuarit e natës së zezë i quajturi Ali Karaj: "Punoja si teknik ndërtimi në ndërmarrjen 'Muhamet Gjollesha'.

Në orën 11 të natës, porta e shtëpisë sime u shkallmua nga shqelmat e policëve të udhëhequr nga operativi i Sigurimit, Aristotel Tasho. Ata u hodhën sipër meje si të tërbuar, duke më goditur me shqelma dhe me grushta. Më lidhën duart mbrapa shpine me tel të ndryshkur dhe më rrasën në 'gaz', ku ishte edhe një i arrestuar, me një thes në kokë. Mbas disa minutash u ndodha në oborrin e birucave të Koçit, mbrapa Burgut të vjetër të Tiranës.

Atje ishte llahtari. Dëgjoheshin të bërtiturat me zë të çjerrë të oficerëve të Sigurimit që shanin me fjalët më të ndyra viktimat e tyre. Goditjet me dru dhe grushta të të arrestuarve, lebetitjet e tyre ngjethëse dhe fytyra të mbuluara me gjak, të kallnin datën. Na ndanë në grupe nga 20 veta dhe na rrasën nëpër qelira. Në birucë qëndronin më këmbë të mbështetur tek njëri-tjetri. Në qelinë nr.26 ku ndodhesha unë, dallova intelektualët Niko Lazo, Myftar Jegeni dhe Tefik Shehu. Të tre u pushkatuan mbas ca ditësh. Gjithë atë natë dhe gjithë ditën e nesërme, 'gazet' nuk pushuan së uturituri, duke sjellë në burgun e vjetër të arrestuar të tjerë.

Oficerët e Sigurimit, Besim Selita dhe Mitat Lame, i kapnin njerëzit si huta që rrëmbenin pulat dhe i çonin në dhomat e torturave. Atje i pritnin xhelatët: Halim Xhelo, Manol Milo, Stavri Xhara, Xhavit Struga e të tjerë, me në krye kryexhelatin Nevzat Haznedarin. Të arrestuarit duhet të pranonin gjëra që jo vetëm s'i kishin bërë, por as që iu kishin shkuar nëpër mend ndonjëherë. Mbas pesë ditësh, në mesin e natës të datës 27 shkurt 1951, njëzet e dy burra, midis tyre edhe një grua u pushkatuan barbarisht. Ata ishin: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Drashkoviç, Haki Kodra, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petro Ekonomi, Zyhdi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasoruho, Manush Peshkëpia, Andon Delhysa, Reiz Selfo, Pjerin Guraziu, Gon Temali, Mehmet Shkupi, Sabina Kasimati.

Të gjithë intelektualë të shquar dhe shumica e tyre kishin mbaruar universitetet më të njohura të Europës. Mbi 80 veta u dënuan me burgime të rënda. Më 3 mars të burgosurit që do të liroheshin i nxorën në oborrin e burgut. Atje erdhi Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme dhe Josif Pashko, zëvendësministër, bashkë me një tufë oficerësh madhorë të Sigurimit. Mehmet Shehu, me mburrje dha njoftimin se njëzet e dy të arrestuarit ishin pushkatuar, 80 ishin dënuar me burgime dhe ata që do të liroheshin u kërcënuan që të rrinin urtë si pulat, se po të luanin bishtin, do t'iu priteshin kokat.

Më 1 dhe 2 mars u internuan familjet e të pushkatuarve, duke i lejuar të merrnin me vehte vetëm nga një valixhe. Shtëpitë dhe pasuritë e tyre u grabitën nga 'pushteti popullor'".

Ky ishte epilogu i dramës së madhe të shkurtit të vitit 1951.
Më 3 mars 1951, gazeta "Zëri i Popullit" boton fjalën e diktatorit Hoxha, mbajtur në Konferencën Kombëtare të novatorëve, ku midis të tjerash thuhet: "Të ashpërsojmë në kulm luftën e klasave. Të jemi të pamëshirshëm kundër dobiçëve të kapitalizmit"! Partia do t'u marrë shpirtin e do t'i shfarosë pa mëshirë ata. Të çelikosim dashurinë tonë të pakufijshme për Stalinin gjenial, babën dhe shpëtimtarin tonë të shenjtë!"

....Versionet për "atentatin" në Ambasadën Sovjetike të 19 shkurtit të vitit 1951, janë të ndryshme. Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, ish-kryetar i Komitetit "Shqipëria e lirë" në Neë York, në librin e tij me kujtime, botuar në SHBA thotë se, në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ishin vendosur disa bomba, nga funksionarë komunistë të Tiranës, përkrahës të vijës jugosllave. Një i tillë ishte dhe koloneli Sali Ormëni, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në atë kohë i vrarë më 3 mars 1951 në afërsi të Elbasanit.

 Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit