Bombat e Hamasit nuk kanë pse jehojnë në Tiranë!

Bombat e Hamasit nuk kanë pse jehojnë në Tiranë!

Sulmi në Izrael

Ka një risi lufta e tanishme në Izrael: Për herë të parë në historinë e tij si shtet, Izraelit i janë pushtuar qytete dhe fshatra dhe rrëmbyer civilë. Numri i civilëve të vrarë kap shifrën e 700 personave, pa llogaritur 750 të tjerë që mungojnë në apel dhe mbi 2.500 të plagosur. Bilanci do të shkojë në rritje pasi ende vazhdojnë luftimet. Është disfata më e madhe e një kombi përballë një lufte asimetrike të panjohur më parë. Reagimi i izraelitëve është i njëjtë me atë të Yom Kipurit të 50 viteve më parë duke shpallur mobilizimin e përgjithshëm dhe 500 mijë ushtarë do të thirren nën armë. Tani që shkruajmë 300 mijë kanë veshur uniformat. Ndërkohë amerikanët kanë afruar në brigjet e tij aeroplanmbajtësen më moderne të tyre “Gerard Ford” të shoqëruar nga një numër i paprecizuar luftanijesh shoqëruese raketahedhëse. Kancelari gjerman Sholz deklaron që përkrahja ndaj Izraelit do të klasifikohet si arsye shtetërore, ç’ka nënkupton furnizime me armë të lejuara dhe palejuara nga konventat si edhe veprime të shërbimeve sekrete gjermane dhe agjencive shtetërore në ndihmë të Izraelit përtej kompetencave të ligjit.

Situata e tanishme është e paprecedentë, të paktën që nga viti 1973. Ajo që e bën të veçantë është që Izraeli nuk po ndeshet me një shtet siç ishte atëherë Siria dhe Egjipti por me një koalicion fraksionesh që kanë mbrapa sponsor të ndryshëm në një luftë ku shpesh sulmuesi fshihet pas civilëve.

Veçori tjetër është ngjyrimi fetar. Nëse dikur Al Fatahu i Arafatit ishte një organizatë laike, Hamasi, Hezbollahu, brigadat Al Quds, kanë frymëzim fetar dhe aspirojnë xhihadin. Nëse dikur Siria, Egjipti, Al Fatahu kishin sponsor lindjen komuniste, pala palestineze sot ka një miriadë sponsorësh interesat e të cilëve shpesh kryqëzohen.

Çfarë dhe kush i shtyu palestinezët e Gazës që të ndërmerrnin këtë ofensivë, është një pyetje që do të kërkojë kohë për përgjigje. Por ajo që duhet të qartësohen shqiptarët është interesi i tyre.

Ashtu si në çdo përplasje ku hyn në mes feja, edhe në këtë rast ndjekësit respektivë të një doktrine të caktuar nuk mungojnë të shpallin tifozllëkun e tyre, duke harruar se ndryshe është ortodoksia apo islami për kombe unitarë të këtyre feve dhe ndryshe për ne. Jo më larg se disa ditë më parë segmente të caktuara ortodoksësh shfaqnin mirëkuptim për kërkesat e Greqisë për rastin Beleri apo ndaj teorive komplotiste për synimin e shtetit shqiptar që të fshihte numrin e grekëve. Janë të njëjtët që kanë kohë që misionin e Janullatos e mveshin me velin e misionarit të fesë anipse shumë mirë e dinë që vetëm punët e fesë nuk hyjmë në shumë sipërmarrje të fortlumturisë së tij.

Po ashtu është një segment i islamistëve shqiptarë që me ose pavetëdije nën pretekstin e lirisë së popullit palestinez apo myslimanëve, bëhen pasues të politikave saudite, turke apo iraniane në Shqipëri, që fenë e kanë vetëm si mbulesë. Nuk duhet ndonjë nuhatje e madhe të kuptosh që shpesh ortodoksia përdoret si mjet ekspansioni nga serbët dhe grekët; që islami është një mjet imperialist në duart e arabëve. E tillë është edhe përplasja mes palestinezëve me izraelitëve.

Në këtë përplasje e kotë t’i hysh historisë. Izraelitët kanë si dëshmi librin e librave, Biblën, kurse palestinezët kanë historinë e vonshme. E parë në këndvështrimin humanist të dy popujt kanë të drejtë të jetojnë në ato toka bazuar edhe në historinë e vonë. Hebrenjtë kanë qene prezent në Palestinë në mënyrë lineare që nga lashtësia edhe përpara vitit 1948 që është viti i formimit të shtetit të tyre. Ajo që ndodhi më vonë është ndryshimi i raportit demografik. Pas disa luftërave mes arabëve dhe izraelitëve të përfunduara me disfatë për arabët, këta zgjodhëm luftën asimetrike ndaj tyre duke përdorur palestinezët. Si rezultat i kësaj, dhe presionit të donatorëve arabë, palestinezët dy herë humbën raste të arta për formimin e një shteti të tyre. I fundit ishte ai me Ehud Barak, një hero lufte i cili për shkak të refuzimit palestinez pagoi edhe çmim si politikan. Tokat që fituan palestinezët nga akordet e Oslos, në vend se ti kthenin në bazë për një shtet funksional, përfunduan në baza për sulme ndaj Izraelit.

Pas këtyre akordeve Al Fatahu përfundoi në një ndërmarrje korrupsioni, kurse fraksionet e tjera në intrasigjencën e një lufte pa kompromis deri në zhdukjen e Izraelit, kauzë që më shumë sesa palestinezëve, iu shërben sponsorëve të tyre.

Izraeli jo gjithmonë ka qenë një interlokutor korrekt, por intransigjenca e palestinezëve i ka bërë të skartojnë rrugët paqësore. Jo më kot shumë shkrimtarë hebrenj janë shprehur se palestinezët mund të arrinin më shumë rezultate duke demonstruar paqësisht duke vendosur çadra proteste në sheshet e Izraelit, pasi kjo do sensibilizonte pjesën demokratike të shoqërisë izraelite, sesa me bomba.

Sot kauza palestineze nuk është më një kauzë e një populli të robëruar sesa ajo e sponsorëve që ka nga pas; nuk është një kauzë e islamit por e atyre që islamin e përdorin si ideologji politike dhe imperialiste. Më shumë sesa luftë për liri ajo është një luftë për territore. Dhe si e tillë ka lidhje me politikat që do të ndjekë një shtet në raport me konfliktin. Jo vetëm në këtë moment kur janë viktima të një sulmi mbi civilë, kauza e izraelitëve ka qenë dhe është edhe një çështje gjeostrategjike. Izraelitët janë aleatë të amerikanëve; janë aleatë të perëndimorëve që e konsiderojnë si të vetmen vatër demokracie në një rajon të përmbytur nga diktatorë dhe zotërinj lufte; është një pikë ku inteligjenca botërore shikon edhe origjinën e shumë artistëve dhe shkencëtarëve pa të cilët nuk do kuptohej perëndimi i sotëm.

Ndaj sa i takon shqiptarëve, do ishte mirë që nëse nuk ndjejnë ndonjë lidhje shpirtërore me Izraelin dhe nuk iu ka marrë njeri tokat në Izrael, të paktën për interesin e tyre kombëtar i cili është i lidhur me të njëjtët aleatë që ka Izraeli, të heshtnin. Është një ditë e zezë për Izraelin ku ai do mbajë në llogari gjithë miqtë dhe armiqtë. Dhe të paktën një gjë është e sigurt që hebrenjtë i mbajnë mirë llogaritë. Ndaj ne nuk kemi pse futemi në listat e borxhit ndaj tyre.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane