Polaku Zbigniew Boniek, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Romës, si edhe ish-zëvendëspresident i UEFA-s, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Kupës së Botës 2026 dhe rrugëtimin e kombëtareve evropiane drejt kualifikimit. I ftuar në emisionin “Radio Anch’io Sport” në Rai Radio 1, Boniek u shpreh kritik ndaj formatit të ri me 48 ekipe.
“Sinqerisht, nuk jam pro një Kupe Bote me 48 ekipe, janë shumë. Nuk do ta përmirësojë cilësinë e lojës. Tani është më e vështirë të kualifikohesh për Kupën e Botës sesa të dalësh nga grupi”, deklaroi ai, duke theksuar se Evropa ka përfituar shumë pak vende shtesë krahasuar me kontinentet e tjera. Sipas Boniek, zgjerimi është më tepër një çështje politike dhe financiare, e lidhur me të ardhurat nga reklamat dhe të drejtat televizive.
Sa i përket garës për kualifikim, Boniek foli edhe për Italinë dhe Poloninë. Për të kaltrit ai u shpreh optimist: “Nuk mund ta imagjinoj që Italia të mos e mposhtë Irlandën e Veriut në shtëpi. Ndeshja më e rrezikshme, në teori, është ajo jashtë fushe kundër Uellsit ose Bosnjës”.
Vëmendje të veçantë mori edhe Shqipëria, të cilën Boniek e konsideron një pengesë serioze për Poloninë.
“Sa i përket Polonisë, kemi dy ndeshje të ekuilibruara dhe të vështira. Së pari Shqipërinë në shtëpi dhe më pas, ndoshta, një transfertë kundër njërës prej Suedisë ose Ukrainës. Në teori, ne jemi favoritë, ashtu si Italia”, u shpreh ai.
Kombëtarja e Shqipërisë do kërkojë fazën finale nga play-off-i. Në 26 mars 2026 tanët do luajnë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse fitojnë do luajnë kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi.
Komente








