Në këto ditë me shi, banaqet televizive dhe tavolinat e kafeneve gumëzhijnë nga diskutimet për një qeveri teknike që pritet të krijohet së afërmi, e cila, sispas diskutantëve, do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Madje diskutohet edhe për kandidaturat e mundshme të postit kryeministror dhe të posteve ministrore të qeverisë teknike…
Në këtë situatë banakore-tavolinore, vlen të përmendet një fjalë e vjetër popullore: I bëjnë hesapet pa hanxhinë…
Që të krijohet një qeveri teknike, Edi Rama duhet të pranojë dorëheqjen e tij nga posti kryeministror dhe ta detyrojë partinë e tij të heqë dorë nga mzhoranca prej 83 mandatesh parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe përse duhet ta bëjë ai këtë gjë?
300 spartanët që mbledh Berisha çdo të hënë para kryeministrisë nuk mund ta detyrojnë Ramën dhe PS-në të heqin dorë nga pushteti. Aq më pak 50 besnikët që mbledh Lapaj ngandonjëherë në ndonjë fundjavë. Kurse Delta Force e shumëpërfolur e ushtrisë amerikane është aktualisht e përqendruar në hemisferin perëndimor të globit – Surreli është jashtëzakonisht larg fokusit të saj, pavarësisht se banakistëve dhe tavolinistëve të këtushëm u duket fare afër…
Është e vërtetë se disa votues të PS-së janë zhgënjyer nga partia për të cilën votuan më 11 maj 2025 (1/6 e tyre rezultuan të zhgënjyer në sondazhin e fundit që realizova) Por ky është një fenomen që, ku më shumë e ku më pak, vërehet në gjithë botën demokratike, pasi bie euforia e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, çereku i votuesve të PD-ASHM janë aktualisht të zhgënjyer nga PD-ja. Kurse 3/5 e votuesve të partive të vogla janë të zhgënjyer nga to. Sa i përket atyre që nuk votuan fare më 11 maj 2025, ata kanë qenë paradhënie të zhgënjyer me të gjitha partitë ekzistuese…
Me pak fjalë, teksa opinioni publik i brendshëm është i zhgënjyer më shumë me partitë opozitare se sa me partinë në pushtet, teksa Amerika trumpiste është e përqendruar në hemisferën perëndimore, teksa Europa ekulibriste është e përqendruar tek Ukraina, përse Rama papritur duhet t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme? Endërr në shi…
Komente










