Bonot dhe leku
si do jenë më 2012-ën

Bonot dhe leku <br />si do jenë më 2012-ën
Sipas ekonomistit Artan Gjergji, lektor në Fakultetin e Ekonomisë pranë UET, interesi i bonove do të vijë në ulje.

Çfarë lëvizjesh konstatohen aktualisht në tregun e letrave me vlerë?
Tregu i letrave me vlerë në RSH ka rezultuar stabël në 4-5 vitet e fundit dhe shumë pak i ndikuar nga efektet negative të tregjeve financiare ndërkombëtare, kryesisht për shkak të shkallës së ulët të integrimit të tregjeve kombëtare në ato ndërkombëtare. Vazhdon dominimi i letrave me vlerë të borxhit publik (mungojnë instrumentat e emetuar nga kompanitë private si obligacione private, aksione apo obligacione bashkiake), por me një diversifikim më të mirë të këtyre produkteve në aspektin e shtrirjes në afat kohor. Kështu, në afatgjatë dhe afatmesëm kemi një shtrirje të borxhit publik në afat kohor më të gjatë (kalim nga instrumentat e BTH afatshkurtra tek obligacionet afatgjata 2-7 vjeçare), në përputhje të plotë me strategjinë e menaxhimit të borxhit publik të rekomanduar nga organizmat ndërkombëtarë.

A ka rritje të sasisë së bonove, krahasuar me të njejtën periudhë të viteve të mëparshme?
Kërkesa për letra me vlerë nga operatorët ekonomikë (kryesisht bankat) është gjithnjë e më e lartë se sa nevoja e qeverisë për fonde. Kjo ka reduktuar presionet që vijnë nga tregu për rritjen e normës së interesit. Megjithatë, parë me një lupë më të kujdesshme, përgjatë një diapazoni kohor 2008-2012 (janar), duket të kemi një rritje të sasisë së fondeve afatshkurtra që kërkon qeveria nga tregu financiar i brendshëm, krahasuar me një trend rënës në fondet afatgjata. Kjo vjen kryesisht për shkak të politikës së huamarrjes afatgjatë në tregjet ndërkombëtare (emetimi i eurobondeve) dhe shfrytëzimit të tregut të brendshëm për nevoja më afatshkurtra.

Si parashikohet interesi i tyre sivjet?
Për shkak të implementimit të një politike më relaksuese monetare, dmth ulje normave të interesit nga niveli 6.25% në janar të 2008-ës deri në 4.5% në janar të 2012-ës, edhe trendi i normave të interesit për huamarrjen publike në ankandet e bonove dhe obligacioneve qeveritare ka ndjekur një trend të lehtë ulës, edhe pse jo me të njejtin ritem si normat e interesit të BSH. Kjo vjen kryesisht për shkak të nivelit relativisht jo shumë të lartë të konkurrencës nga operatorët banka që marrin pjesë në ankande, duke përbërë edhe ofertën për fonde në këtë treg. Sa i përket vitit në vazhdim, duke qenë se nuk kemi të bëjmë me nje vit elektoral, i cili pasohet me rritje të shpenzimeve publike, gjykohet që nevoja e qeverisë për fonde nuk do të jetë shumë e madhe. Gjithashtu, pritet që gjatë vitit 2012, BSH të ulë akoma më tepër normat e interesit, ose, në rastin më minimal, t'i mbajë në këtë nivel. Të dy këto fenomene pritet të ulin presionin e tregut mbi titujt financiarë të borxhit qeveritar, duke sjellë edhe një reduktim të normës së "yeild"-it për këto instrumente, çka sjell edhe reduktim të kostos së borxhit publik.

Sa ndikon interesi i tyre në interesat e kredive të marra në lekë?
Normalisht, rritja e interesit të titujve të borxhit qeveritar ndikon negativisht në rritjen e kostove për kreditë e marra në lekë, pasi një pjesë e mirë e interesave të tyre llogariten duke marrë për bazë interesin aktual të bonove 12-mujore në lekë + normën e riskut të përcaktuar nga banka ku keni marrë kredinë. Kështu psh, nëse para 1 viti, BTH 12m = 6.82% dhe ju keni paguar një kredi me normë BTH 12m + 8% = 14.82%, rritja e "yield"-it të BTH në nivelin 7.11% do të rriste koston e kredisë suaj në 7.11% + 8% = 15.11%.

Si po shkon kursi i këmbimit të lekut me valutat dhe si mendohet të jetë ecuria sivjet?
Nëse bëjme një analizë për 5 vitet e shkuara, që nga 2008 e deri në 2012-ën, shikojme se monedha jonë kombëtare ka ruajtur një nivel të qendrueshëm të këmbimit me euron dhe nje kurs disi më të luhatshëm me dollarin, jo për shkak të lekut, por kryesisht për shkak të luhatjes së dollarit në tregjet ndërkombëtare.
Në e tentojmë të bëjmë një parashikim në lidhje me kursin e këmbimit për vitin 2012, gjykojmë që, për shkak të koniunkturave të tregjeve ndërkombëtare, edhe pse vete leku do të ruajë një nivel të qendrueshëm makroekonomik, pritet një luhatje e monedhave të forta si dollarit amerikan (viti 2012 është vit elektoral në SHBA), ashtu edhe për monedhën e përbashkët europiane, për shkak të vazhdimësisë së krizës në tregjet financiare dhe financat publike në zonën euro.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset