Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar bonusin prej 5 mijë lekësh të qeverisë për pensionistët, duke e cilësuar atë një “lëmoshë sezonale” që, sipas saj, nuk u jep zgjidhje vështirësive ekonomike me të cilat përballen.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku tha se pensionistët në Shqipëri marrin pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa përballen me çmime që po afrohen me ato të Bashkimit Europian. Sipas saj, produktet e bulmetit janë 36% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, ndërsa shpenzimet për shëndetësinë përbëjnë vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tabaku tha se bonusi prej 5 mijë lekësh për rreth 777 mijë pensionistë kushton rreth 35 milionë euro, ndërsa, sipas saj, koncesioni i rrugës Milot–Balldren ka arritur në rreth 360 milionë euro.
"Janë pothuajse 35 milionë euro, ndërkohë që, me një të rënë të lapsit, koncesioni i rrugës Milot–Balldren ka shkuar në 360 milionë euro, dhjetë herë më shumë. Kjo tregon se sa vlejnë pensionistët për qeverinë shqiptare. Pensionistët nuk vlejnë pothuajse asgjë për këtë qeveri. Bonusi sezonal dhe lëmosha sezonale nuk i ndihmojnë pensionistët të kenë një jetë më dinjitoze. Ndërkohë që buxheti i shtetit është i mbushur me abuzime dhe është kthyer në strehë për korrupsionin, tenderat, koncesionet, asetet publike dhe faljet e taksave, për 777 mijë pensionistë ka vetëm një lëmoshë sezonale prej 5 mijë lekësh.
Komente









