I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje dëbore, të shoqëruara me temperatura të ulëta, të cilat u rikthyen në orët e hershme të mëngjesit pas disa ditësh mungese. Bora ka zbardhur qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, trashësia e saj ka kaluar 7 centimetra.

Subjektet kontraktore vijojnë punën pa ndërprerje për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre. Të gjitha akset rrugore nacionale, deri në këto momente, janë të qarkullueshme. Megjithatë, me vështirësi kalohet në rrugët rurale të njësive të larta malore të tre bashkive të qarkut, ku mjetet duhet të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Deri më tani nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara, ndërsa strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë, sidomos në të dy anët e tunelit të Kalimashit. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për problematika të tjera. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç fshatit Gëdhesht (13 abonentë) në njësinë administrative Malzi, 15 abonentë në fshatin Shtrezë të njësisë administrative Topojan, bashkia Kukës, si dhe njësisë administrative Bujan, Bashkia Tropojë.


Lajmi kryesor:

Veriu e juglindja ‘vishen’ nga dëbora, arrin 50 centimetra në Dardhë të Korçës! Ndërpritet lëvizja e kamionëve në doganën e Qafë Thanës, akset rrugore të hapura