VKM-ja e fundit për vitin 2025 ka alarmuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, pasi ka ndryshuar shpërblimi për arritjen e sportistëve. Peshëngritësit tani nuk do të shpërblehen më për arritjet në çdo disiplinë si është shtytja dhe shkëputja, por vetëm në dygarësh. Nëse më herët një sportist i peshëngritës mund të merrte deri në 3 shpërblime duke filluar me shkëputjen, shtytjen dhe dygarësh tani merr vetëm për dygarëshin.
“Ne nuk kemi patur asnjë indicie. Na ka ardhur si rrufe në qiell të hapur. Unë kam patur disa telefonata dhe më është thenë që janë ankuar disa federata. Kjo nuk i përket federatës tonë. Ne s’do ankohemi asnjëherë për asnjë federatë tjetër. Të gjithë duhet të marrin atë që meritojnë,”-u shpreh kreu i FSHP Elez Gjoza.
Për Report TV kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes thotë se ky ndryshim është pritur keq nga sportistët.
“Shumë sportistë janë demoralizuar dhe kanë shprehur dëshirën se mund të largohen dhe ta lënë sportin fare. Kjo do jetë një fatkeqësi shumë e madhe për sportin shqiptar dhe Shqipërinë. Absolutisht edhe për federatën,”-tha Gjoza.
Gjoza thekson se do të bëjë çmos për ta kthyer VKM-në siç ishte ku një peshëngritës mund të merrte deri në 3 shpërblime për një garë.
“Ne do ta çojmë problemin në gjykatë. Do protestojmë se jemi njerëz të lirë sëbashku me sportistët,”-deklaroi presidenti i FSHP Gjoza.
Ndërkohë që në federatën shqiptare të peshëngritjes po mendojnë për zgjidhjen e problemit, kreu Elez Gjoza shpreson se mund të ketë një reflektim nga këshilli i ministrave dhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Komente









