Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali e ka cilësuar si nder, por edhe përgjegjësi shtetërore ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Shqipëria të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën.
Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali u shpreh se Shqipëria ka treguar se është partner strategjik i SHBA-ve.
Spiropali shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, nuk sjell kosto për vendin, apo cënim të sovranitetit.
“Jam këtu për të folur për një moment që ka peshë për mënyrën sesi Shqipëria po shihet në botë. Trump i ka dërguar kryreministrit Edi Rama një ftesë që nuk është e zakonshme. Jo për të marrë pjesë formalisht, por për të qenë aty që në fillim të një mekanizmi. Kjo është çështje e shtetit shqiptar. Është normale që këtë sallë kemi dallime politike, normale nuk është ajo që dëgjuam para pak, por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë. Sot, Shqipëria ka nevojë për maturi e unitet. Ky vendim do të mbetet në kohë. Shqipëria e pranoi këtë ftesë si përgjegjësi shtetërore për paqen. SHBA kanë zgjedhur të provojnë një qasje të re, kërkon përgjegjësi reale nga ata që ulen në tryezë. Sot nuk ka rëndësi sa i madh je në hartë. Shqipëria e ka ndërtuar këtë besueshmëri. Nuk ka ardhur vetvetiu, por nga partneriteti strategjik me SHBA. Politika e jashtme shqiptare ka pasur vazhdimësi, kjo ftesë nuk është surprizë, por nuk duhet marrë si e mirëqenë. Për vite me radhë, është thënë se Shqipëria nuk pyetet, se kryeministri nuk ka peshë. Vendet e vogla bëhen të rëndësishme nga besimi që krijojnë. Sot, Shqipëria ka marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe me vendet kyçe të Lindjes së Mesme, Izraelin apo vendet e botës arabe. Kjo është arsyesja pse Shqipëria nuk është vetëm pjesëmarrëse, por edhe anëtare themeluese.
Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete, me përkrahje të pakursyer. Kam dëgjuar pyetje, se Shqipëria pranon Bordin e Paqes, a është kjo një largim nga BE. Shqipëria nuk po zgjedh midis aleancave. Anëtarësimi në BE mbetet vokacioni ynë kombëtar, nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër. Politika e jashtme është ndërtuar edhe me partneritetin strategjk me SHBA. Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj BE. Shqipëria hyn aty për të kontribuar. Ne nuk largohemi nga Europa, por sillemi si vend europian. Republika e Kosovës ka marrë ftesën, kjo nuk është rastësi dhe shumë mirë, e ka nënshkruar sot. Nuk konkurrojmë mes nesh, plotësojmë njëra-tjetrën. Kosova si shtet i ri, por me rol të qartë në stabilitetin rajonal. Në publik kanë qarkulluar pyetje por edhe zhurmë e panevojshme. Shqipëria në Bordin e Paqes, kjo nuk sjell kosto të papërballueshme, nuk cënon sovranitetin e vendit. Ky nuk është vetëm nder, por përgjegjësi shtetërore. Ky Kuvend sot ka një rol shumë të qartë, të dërgojë një mesazh se për çështje të mëdha, Shqipëria sillet si shtet. Ky mesazh dërgohet kudo, në Uashington, në Bruksel. Ky vendim na bën më të qartë, më të dëgjueshëm. Sot, nuk po ju ftoj të votoni për një marrëveshje, por për seriozitetin e Shqipërisë si partner, si aleat. Ky është votim që i bën nder të gjithëve", theksoi ajo.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Aderimi në Bordin e Paqes, Rama-opozitës: Thatë se SHBA do më bënte gjyqin, por ju do më votoni mua si përfaqësues të paqes në Shtëpinë e Bardhë! Të hënën fjalim në parlamentin izraelit










