Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, të cilët thanë se miratimi në Kuvend i aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ishte një proces i nxituar.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka ka thënë se nuk po miratohet Statuti apo rregullat funksionale të Bordit të Paqes, por vetëm karta themeluese e organizatës.

Ajo shtoi gjithashtu se ratifikimi i kartës themeluese të Bordit të Paqes në këtë fazë të hershme, i jep Shqipërisë të drejtën për të qenë pjesë e procesit themelues dhe për të kontribuar në hartimin e rregullave të brendshme.

“Ratifikimi i marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në kartën e bordit të paqes përfaqëson një moment politik dhe diplomatik të një rëndësie të veçantë. Kjo është një njohje e drejtpërdrejtë ndërkombëtare, për rolin konstruktiv që Shqipëria ka ndërtuar prej vitesh në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global.

Disa janë shqetësuar se Shqipëria po përfshihet në konflikte që nuk janë të sajat. Shqipëria nuk po futet në asnjë konflikt, por po angazhohet në ndërtimin e paqes në përputhje me të drejtën dërkombëtare. Karta e Bordit garanton qartazi sovranitetin e shteteve anëtare dhe përjashton çdo detyrim pa pëlqimin e shprehur të shteteve.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita lidhet me shpejtësinë e procedurës së ratifikimit. Ajo që po ratifikojmë sot nuk është statuti apo rregullat funksionale, por është karta themeluese, që krijon vetë organizatën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare. Pa ratifikimin e kartës, organizata nuk ekziston juridikisht.

Pikërisht ratifikimi në këtë fazë, i jep Shqipërisë të drejtën për të qenë pjesë e procesit themelues, për të kontribuar potencialisht edhe në hartimin e rregullave të brendshme. Pra nuk kemi të bëjmë me nxitim të pajustifikuar, po me vendimmarrje në kohën e duhur, për të qenë brenda tryezës dhe jo jashtë saj. Në diplomaci nuk fiton ai që heziton më shumë, por ai që merr përgjegjësi në kohën e duhur. Sot po miratojmë një marrëveshje që nuk sjell kosto për buxhetin e shtetit”, tha mes të tjerash Xhaçka.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Me 110 vota pro, miratohet aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes! Rama-opozitës: Thatë se SHBA do më bënte gjyqin, por më votuat mua si përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë