Borxhet ndaj OSHEE, zgjatet afati
i Task Forcës deri në fund të 2017

Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur zgjatjen e afatit të Task Forcës për mbledhjen e detyrimeve të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2017.
 
Në vendim theksohet që veprimtaria e Task-Forcës gjatë vitit 2016, ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e mira të shoqërisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, prandaj është zgjatur afati.
 
"Ky projektvendim propozohet me qëllim zgjatjen e afatit kohor të funksionimit të Task-Forcës deri më 31 dhjetor 2017, duke marrë në konsideratë efektivitetin e punës prej saj, në kuadër të uljes së nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe rritjes së nivelit të arkëtimive të faturave të energjisë elektrike.
 
Veprimtaria e Task-Forcës, edhe gjatë vitit 2016, ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e mira të shoqërisë së shpërndarjes së energjisë elektrike dhe në përmirësimin e gjendjes financiare e operacionale të të gjithë operatorëve të tregut të energjisë elektrike, duke qenë një mbështetëse e madhe e reformës energjetike
" thuhet në vendim.

Miratohet ligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare
Këshilli i Ministrave ka vendosur sot miratimin e pr/ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare, duke krijuar mundësi strehimi për këtë kategori.
 
Projektligji ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe garantimin e ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person, që i përket një pakice kombëtare, që janë të nevojshme për mbrojtjen dhe nxitjen e identitetit dallues të tyre si një komponent thelbësor i një shoqërie të integruar dhe që garantojnë mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë para ligjit.
 
Projektligji adreson një sërë çështjesh që lidhen me përkufizimin, kriteret ligjore të njohjes, shmangien e dallimeve midis pakicave kombëtare dhe atyre etnogjuhësore, si dhe përmban parashikime ligjore për garantimin dhe ushtrimin e të drejtave, mekanizmat e përfaqësimit etj.
 
2 mln euro për rinovimin e kampusit Universitar të Tiranës
Sot është miratuar edhe vendimi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës. Ky projektvendim ka për qëllim financimin nga KfW, me vlerë të përgjithshme deri në 2 mln euro.
 
Faza e ndërtimit parashikohet të fillojë në 2018 dhe do të zgjasë nga 18 deri në 24 muaj. Qëllimi i përgjithshëm i programit për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës.
 
Qendra e Tiranës shpallet zonë historike
Gjithashtu qeveria ka vendosur sot shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth.
 
Forcat e Armatosura në Kosovë
Një tjetër vendim ishte edhe ai për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me një grup special, në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë.
 

Vendimet e plota të qeverisë sot
1. Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, (Përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e programit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, masat shoqëruese (Rajoni Vlorë).

MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet KfW Frankfurt am Main (KfW) dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (“përfituesi”), për financimin e programit për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, masat shoqëruese (rajoni Vlorë) me anë të një granti në shumën 1 300 000 euro.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është dhënia e kontributit për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta përmes investimeve në infrastrukturën e mbetjeve të ngurta dhe mbështetjen institucionale për ofrimin e një shërbimi të përmirësuar në pjesën veriore të rajonit të Vlorës. 

Në këtë mënyrë mbështetet Strategjia Kombëtare e Mbetjeve si dhe harmonizimi i standardeve me ato të Bashkimit Evropian (BE), përmirësohen kushtet e jetesës së popullsisë dhe kushtet mjedisore.

MIRATOHET

2. Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës”.

MINISTRI I TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS

Me anë të kësaj marrëveshjeje, qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë vë në dispozicion për projektin në fjalë me shpenzimet e saj kontribute personeli dhe materiale, si dhe eventualisht kontribute financimi, në vlerë të përgjithshme prej gjithsej 2 200 000 eurosh. 

Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është ofrimi i asistencës teknike për aktorët në nivel qendror dhe vendor në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve që të zbatojnë parimet udhëheqëse të reformës së sektorit, veçanërisht, orientimin drejt performancës dhe përgjegjshmërisë, në mënyrë të koordinuar. 

MIRATOHET

3. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

MINISTRI I PUNËVE TË JASHTME
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME 
MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT

Projektligji, si një ndër angazhimet kryesore të qeverisë shqiptare në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe garantimin e ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person, që i përket një pakice kombëtare, që janë të nevojshme për mbrojtjen dhe nxitjen e identitetit dallues të tyre si një komponent thelbësor i një shoqërie të integruar dhe që garantojnë mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë para ligjit.

Projektligji i konceptuar si një projektligj kuadër adreson një sërë çështjesh që lidhen me përkufizimin, kriteret ligjore të njohjes, shmangien e dallimeve midis pakicave kombëtare dhe atyre etnogjuhësore, si dhe përmban parashikime ligjore për garantimin dhe ushtrimin e të drejtave, mekanizmat e përfaqësimit etj. 

MIRATOHET

4. Per strehimin social

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Objekt i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e sigurimit, të shpërndarjes, administrimit dhe planifikimit të programeve sociale për strehimin, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe në ndihmën e institucioneve shtetërore.
Në programet sociale të strehimit përfshihen:

a) programi i banesave sociale me qira (BSQ);
b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
c) programi i banesave me kosto të ulët (BKU);
ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
d) programi për krijimin e banesave të përkohshme;
dh) programi i banesave të specializuara.

Projektligji parashikon detyrimin e njësive të vetëqeverisjes vendore që të sigurojnë që familjet dhe individët, të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program, të kenë mundësi për të kaluar dhe për të përfituar në një program tjetër, kur plotësojnë kushtet ligjore. Individi/familja nuk mund të përfitojë njëkohësisht nga më shumë se një program. 

MIRATOHET

5. Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues, dhe NESKO METAL SAN.TIC.A.Ş, si koncesionari, për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit.

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË



PROJEKTVENDIME:

6. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”.

MINISTRI I PUNËVE TË JASHTME

Marrëveshja me shkëmbim notash ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale Gjermane për bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”

Kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në konceptimin e projekteve të reja, por edhe në vlerësimin e projekteve në implementim e sipër. Gjithashtu, marrëveshja parashikon zbatimin e masave të tjera urgjente dhe afatshkurtra

Marrëveshja “Fondi për studime dhe ekspertë” do të mbështetë këto fusha veprimi: 
Vlerësimin dhe përgatitjen e masave, projekteve të reja, si dhe projekteve aktuale; Kryerjen e studimeve të ndryshme; Masa të tjera veçanërisht urgjente e afatshkurtra për të mbështetur në vazhdim qeverinë shqiptare.

MIRATOHET

7. Për miratimin, në parim, të deklaratës së synimit (SOI – Statement of Intent) të Republikës së Francës për t’u bërë pjesë e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, lidhur me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

MINISTRI I MBROJTJES

Qëllimi i kësaj deklarate synimi (SoI – Statement of Intent) është pjesëmarrja e Republikës së Francës në memorandumin e mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, lidhur me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

Kjo deklaratë synimi e dërguar nga pala franceze bëhet sipas parashikimit të vetë memorandumit, ku në anekset B dhe C përcaktohet se pjesëmarrja në këtë memorandum bëhet nëpërmjet një note pranimi ose një deklaratë synimi. 

Deklarata e synimit e palës franceze përmban rezervën mbi pjesëmarrjen në memorandumin e mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, lidhur me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

MIRATOHET

8. Për miratimin e shtesës së marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Konfederatës Zvicerane dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë për dhënien e asistencës financiare për projektin e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike (PTDP).

MINISTRI I FINANCAVE

Projektvendimi synon miratimin perfundimtar të shtesës së marrëveshjes së kontributit zviceran, të lidhur në datën 9 dhjetor 1996, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për dhënien e asistencës financiare për projektin e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike (PTDP).

Marrëveshja mundëson përdorimin e fondeve që do të grumbullohen në Fondin Kundra-Parti (CPF), siç parashikon marrëveshja bazë për implementimin e projekteve në sektorin e energjisë dhe veçanërisht në fushën e energjive të rinovueshme apo në atë të efiçencës së energjisë duke përfshirë edhe komponentë socialë.

MIRATOHET

9. Për miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për asistencën teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr.2 - mbështetje për zbatimin dhe qëndrueshmërinë.

MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim synon miratimin në parim të ndryshimit të marrëveshjes, i cili konsiston në shtyrjen e datës së fundit të disbursimit të fondeve të grantit, si dhe përshtatjen e disbursimit të grantit nga katër këste që ishin parashikuar fillimisht, në pesë këste. Për rrjedhojë, projektakti nuk sjell asnjë efekt financiar për buxhetin e shtetit. 

Një shtyrje e tillë e datës së fundit të disbursimit të fondeve bën të mundur realizimin me efiçencë të trajnimeve për të 61 bashkitë, duke kontribuar kështu në përmbushjen e vetë qëllimit, për të cilin është akorduar financimi në fjalë. 

Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e nevojshme për realizimin e aktiviteteve të mbetura, del e domosdoshme nevoja për të miratuar shtyrjen e datës së fundit të disbursimit të fondeve deri më 31 dhjetor 2017.

MIRATOHET

10. Për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Masave për Importet.

MINISTRI I ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES

Projektvendimi ka për qëllim miratimin e përbërjes së Komisionit për Vlerësimin e Masave për Importet, me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të profilit arsimor, ekonomistë dhe/ose juristë.
Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij shqyrtimin e masave antidumping, masave kundërbalancuese si dhe të masave mbrojtëse për importet, duke synuar bërjen të zbatueshme dhe efektive të politikave të qeverisë për mbrojtjen e prodhuesve vendas.

Mandati i anëtarëve të komisionit është 5 vjet, pa të drejtë riemërimi.

MIRATOHET

11. Për rishpërndarjen, nga Ministria e Zhvillimit Urban në disa njësi të qeverisjes qendrore, të fondit të financimit për projektet e reja, thirrja I, për vitin 2017, të grantit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, Programi i Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale, shtylla I, miratuar me vendimin nr.12, datë 1.3.2017, të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve. 

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Projektvendimi ka për qëllim të bëjë një rishpërndarje fondesh ndërmjet institucioneve buxhetore, për financimin e projekteve të reja të infrastrukturës vendore, miratuar me vendim të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve nr.12, datë 21.3.2017. 

Konkretisht, fondi prej rreth 99.7 milionë lekësh rialokohet, nga Ministria e Zhvillimit Urban tek Agjencia për Zhvillimin Rajonal 2 për projektin “Përmirësimi i transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse Qafështamë (Bashkia Krujë), Burrel (Bashkia Mat), me qëllim promovimin e atraksioneve turistike të Parkut Kombëtar të Qafështamës (loti 1.2), infrastrukturë rrugore me interes të veçantë zhvillimi, tek Agjencia për Zhvillimin Rajonal 3 për projektin “Rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të zonës së zhvillimit rajonal 3, Korçë, Elbasan (3 lote) dhe tek Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal për projektin “Qendër multifunksionale e shërbimeve për sipërmarrjet e reja”.

MIRATOHET

12. Për miratimin e standardeve të projektimit të shkollave.

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Projektvendimi ka për qëllim miratimin e standardeve të projektimit të shkollave. Ky standard ka për qëllim që të shërbejë si referencë për të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e planifikimit, programimit, projektimit/dizajnit dhe ndërtimit të ndërtesave/hapësirave të reja të shkollave apo në rehabilitimin e ndërtesave ekzistuese. Këto standarde janë parashikuar si për shkollat e sektorit publik, ashtu edhe për shkollat e sektorit privat. 

Dokumenti përcakton dhe përshkruan hapësirat e nevojshme sipas llojit, madhësisë dhe specifikimeve në përputhje me standardet evropiane dhe do të shërbejë si referencë për projektuesit e shkollave e të ndërtesave të shërbimit edukativ dhe social me interes të gjerë publik.

MIRATOHET

13. Për një ndryshim në vendimin nr.828, datë 23.11.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të afateve për kalimin e së drejtës së pronësisë, pa pagesë, mbi truallin dhe objektet e ndërtuara për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës”. 

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Ndryshimi i propozuar në projektvendim përcakton se sipërfaqja e truallit që përfitohet, pa pagesë, është sipas evidentimit faktik në terren, deri në masën e 500 m2. Ky ndryshim lidhet me pamundësinë e deritanishme për të përcaktuar masën e saktë të sipërfaqes që i takon secilës familje të shpërngulur, sipas dokumentacionit zyrtar në të cilin përcaktohen masat individuale të sipërfaqes për të shpërngulurit. 

Ky ndryshim synon të zgjidhë problematikën e hasur në praktikë gjatë zbatimit të vendimit nr.828, datë 23.11.2016, të Këshillit të Ministrave, e cila ka të bëjë me përcaktimin e sipërfaqes konkrete të truallit që u kalohet në pronësi pa pagesë, subjekteve të shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës.

MIRATOHET

14. Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion/partneritet publik privat të kompletimit dhe ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

MINISTRI I TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS

Projektvendimi ka për qëllim dhënien e një bonusi prej 10 (dhjetë) % të pikëve për rezultatin tekniko-financiar të arritur gjatë periudhës përzgjedhëse shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Gjendja ekzistuese e Rrugës së Arbrit aktualisht është me 20.1 km të përfunduara dhe të vëna në funksionim. Janë rreth 15 km të tjera të ndërtuara jo plotësisht, që kanë mungesë të nënshtresave dhe shtresave rrugore, mbrojtje skarpatash dhe sinjalistikë e siguri rrugore. Për t’u ndërtuar nga fillimi janë edhe 41 km të tjera, nga të cilat, 3 km i përkasin by-pass-it të Klosit dhe 3 km janë pjesë e lidhjes së Maqellarës nga Bllata. 

Ndërkohë, referuar propozimit të shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., rezulton se rruga do të jetë në total 69 km, me standard më të lartë C2 dhe me një tunel, i cili plotëson të gjitha kushtet e sigurisë sipas direktivave të BE-së, pasi do ketë edhe tubin e dytë (të emergjencës). Oferta e shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., për ndërtimin e rrugës brenda 46 muajsh është 33 600 000 000 lekë (pa TVSH).
Gjithashtu, referuar propozimit të pakërkuar të paraqitur, në ofertën e sipërpërmendur janë përfshirë të gjitha kostot e tjera, siç janë: studimi dhe rishikimi i projektit, konsulenca, mirëmbajtja e rrugës për 10 vjet dhe operimi i tunelit gjithashtu për 10 vjet. Gjithashtu, janë të përfshira edhe kostot e interesave si rrjedhojë e financimit të vonuar nga shteti për një periudhë 13-vjeçare. Vlera e tyre është rreth 6 348 860 000 lekë (pa TVSH). 
Shoqëria do të përdorë gjithashtu fondet nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të jenë rreth 60 milionë euro për katër vitet e para të ndërtimit.
MIRATOHET

15. Pë miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II”.


Ky projetkvendim ka për qëllim financimin nga KfW, me vlerë të përgjithshme deri në 2 032 179.23 (dy milionë e tridhjetë e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë pikë njëzet e tre) euro, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II”. Faza e ndërtimit parashikohet të fillojë në 2018-ën dhe do të zgjasë nga 18 deri në 24 muaj. 

Qëllimi i përgjithshëm i programit për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës së energjisë konsiston në aplikimin e masave të efiçencës së energjisë në godinat e këtij kampusi nr.1 në Tiranë, me objektivat, si më poshtë: 

• Auditimin energjetik të ndërtesave për të identifikuar konsumin e energjisë dhe masat përkatëse që duhen për të reduktuar konsumin e energjisë. Raporti i auditimit do të certifikojë ndërtesën para dhe pas rinovimit.
• Identifikimin e nevojave të rinovimit të ndërtesave në lidhje me gjendjen aktuale të tyre, me qëllim për të zgjatur ciklin e jetës së ndërtesave. 
• Reduktimin e konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kWh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.
• Llogaritjen e reduktimit të karbonit si rezultat i masave dhe vendosjes në kushte të performancës së lartë dhe standardeve të Bashkimit Evropian. 

MIRATOHET

16. Për një ndryshim në vendimin nr.1086, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Task-Forcës për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, të ndryshuar.

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË

Ky projektvendim propozohet me qëllim zgjatjen e afatit kohor të funksionimit të Task-Forcës deri më 31 dhjetor 2017, duke marrë në konsideratë efektivitetin e punës prej saj, në kuadër të uljes së nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe rritjes së nivelit të arkëtimive të faturave të energjisë elektrike. 

Veprimtaria e Task-Forcës, edhe gjatë vitit 2016, ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e mira të shoqërisë së shpërndarjes së energjisë elektrike dhe në përmirësimin e gjendjes financiare e operacionale të të gjithë operatorëve të tregut të energjisë elektrike, duke qenë një mbështetëse e madhe e reformës energjetike.

MIRATOHET

17. Për miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2017.

MINISTRI I DREJTËSISË

Rekomandimet e Këshillit të Ministrave që propozohen me këtë projektvendim, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, u bëhen të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve të prokurorisë në një mbledhje të përbashkët. 

Këto rekomandime kanë për qëllim dhe synojnë marrjen e masave për të garantuar funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas parimeve të shtetit të së drejtës, marrjen e masave për parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit, në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit të ndërsjellë të pushteteve. 

Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, ndjek në vazhdimësi mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të dhëna prej tij.

MIRATOHET

18. Për shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth.

MINISTRI I KULTURËS 

Projektvendimi ka për qëllim shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe zonës së mbrojtur përreth. Kjo rregullore përcakton detyrimet dhe mënyrat për administrimin e vlerave historiko-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur në qytetin e Tiranës.

MIRATOHET

19. Për miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane” truall,të pasurisë me numrin 31/4, zona kadastrale 2255, Bashkia Shijak, të pasurive me numrat 106/9, 106/12 e 106/13, me sipërfaqe 10 500 m2, të sipërfaqes prej 705 m2 nga pasuria me numrin 106/4, zona kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës. 


MINISTRI I BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE 

Projektvendimi ka për qëllim miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numrin 31/4, zona kadastrale 2255, Bashkia Shijak, të pasurive me numrat 106/9, 106/12 e 106/13, me sipërfaqe prej 10 500 (dhjetë mijë e pesëqind) m2, në zonën kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, si dhe të një pjese të sipërfaqes së pasurisë me numrin kadastral 106/4, të sipërfaqes 515 (pesëqind e pesëmbëdhjetë) m2, ku do të zhvillohet struktura “Stallë”, dhe të sipërfaqes 190 (njëqind e nëntëdhjetë) m2, ku do të zhvillohet struktura “Kantinë”, zona kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës.

MIRATOHET

20. Për një shtesë në vendimin nr.640, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e sporteleve të fondit të sigurimit të detyrueshëm në administrim të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA)”.

MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE

Ky projektvendim ka për qëllim kalimin në administrim të ADISA-s të sporteleve të shërbimit të FSDKSH-së në Bashkinë e Tiranës, Gjirokastrës dhe Krujës, sipas planifikimeve për hapjen e qendrave të ofrimit të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë në këto qytete. Përgjatë një periudhë kohe, deri në konsolidimin e mënyrës së ofrimit të tyre nga ADISA, do të ofrohen në bashkëpunim me FSDKSH-në.

MIRATOHET

21. Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i qendrës së qytetit Koplik”.

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Projektvendimi ka për qëllim shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i qendrës së qytetit Koplik”. 

Pasuritë që shpronësohen janë “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekësh, të cilat do të përballohen nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.

MIRATOHET

ÇËSHTJE E MBARTUR: 


22. Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik. 

MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT



REND DITE SHTESË: 

23. Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me një grup special, në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë. (I klasifikuar).

MINISTRI I MBROJTJES

MIRATOHET

24. Për miratimin e tarifës së mirëmbajtes së Sistemit Qendror të Monitorimit on-line që duhet të pagujane shoqeritë e licencuara. 


MINISTRI I FINANCAVE


Ky projektvendim vjen në zbatim të Ligjit Nr. 155/2015 "Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë". Në këtë ligj përcaktohet detyrimi i Këshillit të Ministrave për të miratuar tarifën e mirëmbajtjes së “Sistemit Qendror të Monitorimit On-Line (SQMO), për Industrinë e Lojërave të Fatit në Republikën e Shqipërisë. që duhet të paguajnë shoqëritë e licensuara, si dhe çdo çështje tjetër që ka lidhje me sistemin e monitorimit on-line.


dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen