Vijon tendenca ulëse, borxhi publik në nivelin e 2013, çdo shqiptar ka 2.974 € detyrime

Vijon tendenca ulëse, borxhi publik në nivelin e 2013, çdo shqiptar ka 2.974 € detyrime

Ministria e Financave

Në fund të korrikut të këtij viti, borxhi publik i Shqipërisë (qeveria qendrore dhe bashkitë) llogaritet në shifrën prej 1 trilion e 75 miliardë lekësh të reja, ose 8.5 miliardë euro. Kjo shifër, sado gjigande, shënon uljen e radhës, të filluar si tendencë që në fund të vitit 2015. Në dhjetor të vitit të kaluar, borxhi publik ishte në nivelin e 1 trilion e 87 miliardë lekëve, pra kemi një ulje në shifra nominale prej 11.7 miliardë lekësh, apo 92.8 milionë euro më pak se gjashtë muaj më parë. Me këto ritme, rezulton që, për çdo ditë të gjashtëmujorit të parë të vitit, shteti ka arritur të ulë me 65 milionë lekë të reja, ose 515 mijë euro detyrimet ndaj të tretëve, jashtë e brenda vendit.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sipas statistikave zyrtare, të ofruara nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton një ulje e ndjeshme. Kështu, në fund të vitit të kaluar ky raport ishte 96.92 për qind, por ka kaluar në 65.19 për qind në fund të muajit korrik të këtij viti. Ky rezultat shënohet edhe pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto i vitit në vazhdim, që nuk ka mbaruar ende, është llogaritur me përafërsi nga qeveria në nivelin e 1 trilion e 650 miliardë lekëve, ndërkohë që kjo shifër është 1 trilion e 555 miliardë për vitin e kaluar. Rritja e PBB-së parashikohet të jetë 752 milionë euro gjatë këtij viti. Sa më e lartë të jetë shifra e PBB-së, aq më i ulët del raporti i borxhit me të. Por, siç u pa edhe më lart, edhe nominalisht borxhi, në fakt, është ulur.

Në vitin 2013, qeveria e re Rama-1 e mbylli vitin, e filluar nga qeveria e mëparshme, me një borxh sa 65.53 për qind të Prodhimit Bruto të vendit. Kjo do të thotë që vetëm tani është arritur të ulet borxhi publik nën nivelin e vitit të parë të mandatit të parë qeverisës. Vitet e mëparshme raporti borxh/PBB ishte 70.03% në vitin 2014%, për të arritur rekordin një vit më pas – 73 për qind në vitin 2015. Më pas ka nisur rënia: 72.36% në vitin 2016; 69.92% në vitin 2017 dhe 65.17% në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Por situata mund të përkeqësohet në fund të këtij viti, kur qeveria është përgatitur të marrë një borxh të ri masiv: eurobondin e radhës, që këtë herë parashikohet të jetë në masën 500 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe shifra e PBB-së është ende hipotetike dhe ajo nuk mund të bëhet përfundimtare para dy vjetësh nga përfundimi i një viti kalendarik.

Borxhi i brendshëm, që realizohet me anë të ankandeve të bonove dhe obligacioneve të Thesarit të Shtetit, rezulton me një rritje minimale ndaj vitit të kaluar: +3 miliardë lekë. Ndërkohë, borxhi që merret nga qeveri, banka apo institucione financiare ndërkombëtare jashtë Shqipërisë, rezultojnë në ulje. Në krahasim me fundin e vitit 2017, ai është 14.7 miliardë lekë më i vogël.

Duke marrë parasysh numrin e popullsisë rezidente, të referuar nga ana e Institutit të Statistikave, prej 2.870.324 banorësh, mesatarisht çdo shqiptar rezulton me një borxh prej 374.749 lekësh të reja, ose 2.974 euro. Kjo shifër është pak më e ulët se në fund të dhjetorit 2017, kur çdo shqiptar kishte 3.006 euro borxh.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 29/08/2018 16:49

    Borxhin e bajgave tuaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)