/ATSH/.- "Nëse dëshironi zhvillim ekonomik ju duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni brenda natës të bëheni të pasur. Duhet të punoni shumë për të fituar", tha të enjten ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch, në ligjëratën e hapur para studentëve të kolegjit "Universum".
Sipas KosovaPress, Bosch shprehet se deri atëherë, kosovarët duhet t'i kryejnë detyrat e tyre nëse dëshirojnë të lëvizin lirshëm, drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
"Nëse ju i kryeni detyrat tuaja deri vitin tjetër, do të ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët. E nëse kjo nuk ndodh edhe pas plotësimit të kritereve, atëherë faji është tek BE-ja", tha ambasadori Bosch në ligjëratën e hapur ku u diskutua për diplomacinë e Holandës në Kosovë dhe fokusin e saj, themelimin e Gjykatës Speciale dhe liberalizimine e vizave.
Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kosovë, ambasadori Bosch tha se nuk ka vërejtur ndryshim sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
"Unë nuk kam parë edhe aq zhvillim ekonomik në Kosovë prej se jam në vendin tuaj", tha Bosch. Sipas tij, zhvillimi ekonomik është penguar më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit.
"Në Kosovë ka mjaft ligje të mira, por ato nuk zbatohen. Biznesmenët e shtetit tim besojnë në kontratë, dhe nëse ajo nuk respektohet ata besojnë se problemin mund ta zgjidhin nëpërmjet gjykatës. E këtu, kjo nuk po ndodh ndaj edhe investitorët e huaj frikësohen të investojnë në vendin tuaj", tha Bosch.
Por nuk është vetëm mungesa e sundimit të ligjit, që po pengon zhvillimin e vendit. Ambasadori tha se është edhe mentaliteti i kosovarëve. "Nëse dëshironi zhvillim ekonomik ju duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni brenda natës të bëheni të pasur. Duhet të punoni shumë për të fituar. Mentaliteti këtu duhet ndryshuar dhe të mos mendohet se investimi mund të kthehet brenda natës. Ju duhet të punoni shumë që investimet t'i ktheni pas disa viteve", tha ambasadori Bosch.
Ai kërkoi nga të rinjtë që të punojnë shumë më shumë që ta ndryshojnë mentalitetin e 90 për qind të kosovarëve që dëshirojnë të pasurohen brenda natës.
Ai ka kërkuar nga kosovarët që të bëjnë më shumë që t'i bindin pesë vendet e BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, të themelojnë Gjykatën Speciale para se atë ta bëjë për kosovarët dikush tjetër, të krijojnë një ushtri profesionale dhe të përqendrohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të sigurt për investimet e huaja.