Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch deklaroi sot se, tashmë është vendosur që Kosova duhet të ketë një Gjykatë Speciale dhe është më mirë që ajo mos të refuzohet.
Sipas KosovaPress, ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet nëse gjykata do ta ketë selinë në Holandë, pasi për këtë fillimisht duhet të merret leja dhe miratimi i parlamentit holandez.
Këto deklarata Bosch i ka bërë në një takim me studentët e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
Ambasadori Bosch para studentëve ka thënë se Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, dhe se refuzimi që po bëhet nga ana e opozitës nuk është i mirë, pasi kjo do të thoshte se çështjet e përmendura për t'u trajtuar nga kjo gjykatë do të kalonin në një gjykatë që do të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe aty ka shtete që nuk janë aq miqësore me Kosovën.
"Natyrisht që ju duhet Gjykata Speciale dhe nëse do ta refuzonit do të ishte shumë keq për vendin tuaj, duke pasur parasysh faktin se, Gjykata do të themelohej nga OKB pastaj. Por, tani të paktën do të keni një gjykatë e cila s'do të jetë një gjykatë e OKB-së. Vendet që nuk janë mike me vendin tuaj, kanë shumë ndikim, prandaj dhe ka ardhur kjo ide për ta themeluar gjykatën, mbase jo de facto por ligjërisht nën EULEX-in", tha Bosch.
Ndërsa, i pyetur për rikthimin e Listës Serbe në institucionet e vendit, Bosch tha që nuk varet nga dëshira dhe mendimi i tij rikthimi i kësaj force, duke shtuar se, "sipas kushtetutës është përcaktuar që të ketë në parlament, qeveri dhe institucione të tjera edhe prezencë të komunitetit serb".
Sipas ambasadorit holandez, dy çështjet kryesore ku duhet të fokusohet qeveria dhe institucionet vendore kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të punës, si dhe me sundimin e ligjit që nënkupton luftimin e korrupsionit.
Bosch para studentëve foli sërish për valën e fundit të migrimit ilegal nëpër vendet e BE-së, duke thënë se ky proces do të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave, si dhe përsëriti faktin se BE nuk jep azil për vendet si Kosova, që tashmë është e sigurt.
"Çfarë ju latë të kuptohet është negative për liberalizimin e vizave, sepse partitë e djathta dhe të majta evropiane do ta përdorin këtë për të thënë se është një problem i madh, dhe ky vend nuk duhet të këtë liberalizim të vizave. Duhet ta dini se kjo nuk është vetëm kundër jush, por kundër çdo shteti që kërkon liberalizim të vizave, si p.sh Serbia apo Shqipëria", vijoi Bosch.
Holanda, sipas ambasadorit Bosch, ka qenë njëri ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën si shtet, e ka ndihmuar atë në shumë fusha, si në liritë dhe të drejtat e njeriut, në pajtimin në mes komuniteteve, në sektorin e ekonomisë, si dhe në fushën e drejtësisë. /atsh/