Me bindjen se i biri ka ndërruar jetë dhe është vrarë nga rivalët, babai i Ervis Martinaj, shprehu zhgënjim para togave të zeza, pse merren me pronat e familjes, dhe nuk zbulojnë se ku ndodhet trupi i tij. Para trupit gjykues, 73-vjeçari u shpreh i bindur se djali i tij nuk jeton më. Mes fjalëve, tregon pengun e arsyes së thirrjes në gjykatë, jo për atë që ai do, por për tu pyetur për “lecka e tulla”.

“Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, nga ana juaj asnjë sinjalizim.

Mustafa Martinaj, babai i ish-bosit të lojërave të fatit, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme në procesin ku SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive me vlerë rreth 10 milionë euro të Ervis Matinaj dhe personave të lidhur me të. Para trupit gjykues, 73-vjeçari tha se ka punuar një jetë për të pasur të ardhurat që sot SPAK akuzon se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i të birit.

“Pas ’97-ës jam marrë me aktivitet privat. E kam nisur me një kancelari dhe fotokopje, jam marrë për 3 vjet me kambizëm. Kam filluar punë si administrator ekskluziv i UFT-së në rrethin e Laçit me 3 pika. Kam punuar në Mirditë, Mat dhe Fushë-Krujë, me punë voluminoze dhe të ardhura të jashtëzakonshme. Kemi parasysh kohën, luftën e Kosovës dhe remitancat shumë të larta”, tha ai.

I ati i të zhdukurit Martinaj pretendon se të ardhurat i kanë nga aktivitete të ligjshme dhe kredi, për të cilat thotë se i vërteton përmes dokumenteve bankare.

“As 30% e aktivitetit tim nuk është pasqyruar. Kam rreth 3.5 milion euro të ardhura, me rreth 6 milionë kredi. Këto jam në gjendje t’i vërtetoj me vërtetimet e bankës. Për shoqërinë UFT janë deklaruar një pjesë e madhe. Kam blerë përmes bankës lokalin “Arbëria”. Kam marrë kredi bankare për këtë punë. Për secilin nga rastet veprimet janë me bankë. Mund t’ju paraqes dokumentet në çdo moment”, vijoi ai.

Të birin, një prej emrave më të përfolur të krimit të organizuar, i zhdukur prej 4 vitesh tashmë, e cilëson punëtor, nxënës të përkushtuar dhe që kurrë nuk i solli asnjë shqetësim.

“Deri në vitin 2008, asnjë nga fëmijët nuk bënte punë, ishin në shkollë. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë. Ka shkuar rreth viteve 2000-2001 me bursë dhe studioi ekonomi, nuk i përfundoi, nuk u diplomua. Visi më pas u transferua nga Italia në Tiranë dhe kjo përkon me blerjen e një banese në rrugën “Himë Kolli”. Ervisi ka qenë nxënës i mirë, por i la studimet përgjysmë dhe erdhi në Tiranë. Visi ishte shumë punëtor. Në Itali nuk ka bërë asnjë punë. Me ardhjen nga Italia më ka kërkuar ndihmë. I kam blerë dy makina, një makinë vajzave dhe një Visit. Djali nuk na ka sjellë asnjë lloj shqetësimi. Kemi pasur raporte të rregullta. Kur ishte në Itali s’kishte nevojë për lekë, se kishte bursë”, dëshmoi Mustafa Martinaj.

73-vjeçari Martinaj, në gjykatë, foli për heroizma të viteve të vështira, në të cilat sipas tij ka lëvizur me shuma të mëdha, deri në 800 mijë dollarë cash, i paprekur asnjëherë nga bandat.

“Mua që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar i vetëm nga Tirana me mbi 800 mijë dollar CASH, karta e telefona në 12 të natës, në periudhën më të vështirë, në ‘99, bandat ishin rrugës. Kam pas një makinë 2400 i çoja në bagazh, në Rubik e Rrëshen, ishin paratë e aktivitetit tim. As edhe një gërvishtje nuk më ka ndodhur, kam luajtur me kokën time”, pretendoi ai.

Mustafa Martinaj u pyet në gjykatë në procesin e pasurive të sekuestruara të të birit Ervis Martinaj, dhe familjarëve të tij. SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive në total, nga aksionet në komani të ndryshme, të makinat, sipërfaqe të tëra tokash, deri te llogaritë bankare, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:52
Babai i Vis Martinajt dëshmon në GJKKO: Nuk më pyeti kur hapi lojërat e fatit, do i kisha thënë jo

1778592614_mustafamartinaj.jpg

Babai i Ervis Martinajt, ka dëshmuar sot në GJKKO në procesin për të birin e tij. Mustafa Martinaj ka treguar se nuk ka qenë dakord që i biri të futej në biznesin e lojërave të fatit. Ndër të tjera ai thotë se Ervis Martinaj ka jetuar me të në Kurbin deri ditën kur është zhdukur.

"Nga 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, detyrim 100% të paguara nga kompania, si dhe ato vendore. Të parën pikë nuk e mbaj mend ku e ka hapur. Po të më pyeste mua, do i thoja jo. “Mat Union” e kam pasur unë, është llogari transfertash; llotari fati nuk kam pasur personalisht. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve. Ime shoqe dhe im vëlla kanë pasur prokurë për të kryer veprime me “Mat Union”, edhe sot që flasim kam person të autorizuar që merret.

Me djalin kam folur dhjetëra herë për aktivitetin e tij. Jemi përballur tek Ansambli “Çiftelia” në gjyq. Është marrë vendimi nga Shkalla e Parë. A. Kaçorri është nipi im, Visi ishte i imi, Alfio ishte djali i vajzës, është 14 vjeç (e pyeti prokurorja çfarë marrëdhëniesh ka Ervisi me nipin). A. Kaçorrit i kam bërë unë dhuratë për ditëlindje, fjala bie 1000 euro, se e kam nip.

Të parën makinë të mirë që ka pasur djali ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro, me paratë e mia. E kam blerë herët. Në jetën e vet nuk më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka. Deri në 2018 kurrë, pyesni në Laç, të flasë dikush keq, i përmendej emri me respekt. Në 2018 ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana, bëmë pashaportizimin, merrej kryesisht me gjueti peshku, jo për tregti.

Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, 9 gusht 2022. Një herë jam thirrur me kërkesën time, jam deklaruar. Jetonte me të ardhurat që ka pasur nga biznesi, pastaj ka jetuar me mua. Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë, nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament te Qemal Stafa, dijeni time nuk ka asnjë pronë tjetër. Hotel “Arbëria” duhet ta kem blerë në 2016-2017. Ishte i mbyllur në atë kohë, kam investuar paratë e dynjasë, duhet të shoh preventivin për të parë koston.

Aktiviteti ka vijuar i njëjtë siç ka qenë. Biznesi është blerë nga Mustafa Martinaj. Pas vdekjes së Visit, pas zhdukjes, 23 herë më ka ardhur policia. Mos të rëntë e liga, unë s’jam as budalla as naiv. Pyet Nallbatin me shokë, të të tregojnë ata", tha ai.