SPECIALE/ Bota sugjeron një shqiptare për poezinë, po Shqipëria a ka një propozim të ri për “Nobelin”?! Rrëfimi i Luljeta Lleshanakut: Nga persekutimi i familjarëve, tek Shqipëria që ëndërruam, jetoj mes dy vendeve

Në kohë pandemie, kur duket sikur distancat zgjaten e kufijtë mes vendeve thellohen, poezia e Luljeta Lleshanakut zgjeron shtratin e lexuesve të saj.

Tanimë krijimtaria e saj flet në gjermanisht përmes një tjetër botimi.

Shtëpia e njohur botuese Karl Hanser, që boton emra si nobelistja Herta Muller, në seksionin e saj të limituar për poezinë, ka zgjedhur krijimtarinë e poetes shqiptare.  “Qyteti i mollëve”, shënon librin  e dytë të Lleshanakut në gjermanisht, e vjen në formën e një antologjie të plotë, ku poezitë përzgjidhen nga “Homo antarcticus”, “Pothuajse dje” dhe “Fëmijët e natyrës”. E veçanta është se për t’i dhënë lexuesit gjerman shijen e gjuhës sonë amtare, poetja disa prej poezive i boton përkrah përkthimit, edhe në versionin e tyre origjinal në shqip. I pari përkthim në gjermanisht për krijimtarinë e Lleshanakut u shënua në vitin 2010, nga shtëpia botuese Korrespondenzen ne Austri, ku Andrea Grill përktheu “Kinder der Natur” ( “Fëmijët e natyrës”). Por si e shikon poetja Luljeta Lleshanaku krijimtarinë e saj në një gjuhë tjetër, veçmas kur kjo gjuhë është e panjohur për të? A ka në këtë rat një pakt besimi me përkthyesin?

“Andrea Grill është vetë një shkrimtare prozatore dhe poete e njohur. Ka jetuar dy a tre vjet në Shqipëri dhe e njeh mirë shqipen. Me të është e lehtë se, duke qenë vetë prozatore, nuk ekziston ai lloj moskuptimi. Përpos kësaj është edhe shumë kreative. Po, është një gjuhë që unë nuk e njoh. Pra, në punën e një përkthyesi në anglisht, unë mund të ndërhyj herë pas here, apo të sugjeroj.  Ndërsa kjo është një tjetër formë bashkëpunimi. Por, duke parë dhe ecurinë e librit të parë si dhe komentet që u bënë për të, mund të themi se jemi në një pikë të mirë”.

Dhe në fakt, reagimi i kritikës ka qenë i menjëhershëm, si vetë poezia e saj, e Akademia Gjermane e Gjuhës dhe e Poezisë, e rendit autoren ndër poetët e rekomanduar për këtë vit… Ndërkaq në Shqipëri poezia e Lleshanakut e legjitimon entuziazmin, që “Poeti Evropian i Lirisë 2022” të mbajë emrin e saj. Autorja është kandidate e këtij çmimi për herë të dytë pas një dekade, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit pritet të mbahet në Poloni, në 11 qershor.

“Gjëja më e mirë, është se pas 10 vitesh je ende në treg, apo së paku e lexueshme. Se kam përshtypjen që vjen një moment, ku secili shkrimtar bëhet pak konservator në stilin e tij. Pra, është më pak i hapur ndaj të rejave, ndaj eksperimenteve me veten, qoftë edhe për faktin se çdo autor ka edhe një limit përvoje.  Ka një përvojë jetësore deri diku të kufizuar. Por, sidomos poezia e cila për shkak të natyrës së saj vertikale, pra sintetike, arrin të konsumojë shumë më shpejt edhe se proza. Sepse një poezi mund të ketë peshën e një romani apo edhe më shumë”

Në Kabinetin e Poezisë në Munih, u shënua dhe prezantimi i parë i librit.  “Është një zë i jashtëzakonshëm, por që për momentin mund ta dëgjojmë vetëm online”, shkruhet në mediat gjermane, ndërsa autorja e ndjek ngjarjen për së largu. Pandemia dhe burokracitë e krijuara prej saj, nuk e lejojnë të jetë pranë lexuesit të ri. “Qytetin e mollëve”, e pret një rrugëtim i gjatë në qytetet e Gjermanisë e shteteve të tjera gjermanisht folëse, por si e percepton poetja këtë moment?

“Është tamam momenti i gabuar, për shkak edhe të pengesave. Unë nuk munda të shkoj në Munih për shkak se vaksinimi që kam bërë është i papërshtatshëm. Vaksina ime nuk është e aprovuar nga Agjencia Evropiane e shëndetit. Nuk e di si do të funksionojë me prezantime të tjera dhe është pak kritike, sepse çdo libër i ri promovon kohën që del. Vitin tjetër është një lajm i vonuar.”

Pikëtakimet e radhës të veprës së Lleshanakut me lexuesin do të jenë Vjena, Panairi i Lajpcigut e mandej në maj Festivali i Letërsisë në Zvicër. Kur emocionet e një autografi a të një bisede të thjeshtë me autorin, për lexuesin janë të njohura, si ndihet poetja kur privohet nga këto takime të drejtpërdrejta?

 “Qëllimi i prezantimeve publike është që përpos librit, të jepet një mundësi të njohësh edhe autorin. Dhe sigurisht që ndryshon shumë mënyra e leximit të veprës, pasi ke krijuar këtë marrëdhënie me autorin. Pasi ke dëgjuar historinë, opinionet e tij, a ke kuptuar se cila është filozofia e tij për jetën. Është me tepër rëndësi të dish për kulturën nga vjen, historinë personale. Sigurisht që pa këta elementë libri mund të lexohet, por kurrsesi nuk mund të kesh një lexim të plotë të saktë pa ditur edhe atë çka autori mund t’i japë lexuesit përmes një prezantimi të drejtpërdrejte”

Padyshim që, sfondi autobiografik i krijimtarisë së Lleshanakut, është një tjetër element që intrigon lexuesin. Poezia e saj që prodhon imazhe gati filmike të jep përshypjen, sikur tanimë lexuesi njeh shumëçka nga historiku i familjes së saj, e çka ka ngjarë me të.  Por, e tashmja vjen me lajme të hidhura.  Halla e saj, Nadirja, së cilës i dedikoi, përzgjedhjen me poezi, 1997-2015, i mbylli sytë përgjithmonë në janar të këtij viti.

“Në krye të këtij viti humba hallën. Një javë para hallës humba dhe dajën. Të dy ishin në moshë, por kanë pasur një ndikim të madh në jetën time, atë çka unë jam. Kur ata ikën ,unë u ndjeva sikur një pjesë e historisë sime u zhduk bashkë me ta. Dhe pastaj, me të drejtë, arrin në pyetje ekzistenciale: Kush jam unë pa ata?! Vdekjet, funeralet, janë momente kur njeriu reflekton për shumë gjëra, për marrëdhëniet me të tjerët e rolin që kanë në ekzistencën e gjithkujt”

Edhe prej historisë së të afërmve të Lleshanakut, media gjermane, pas botimit të “Qytetit të mollëve”, mban shënim për një prej fjalëve të përbashkëta në të dy gjuhët: Melankolinë. Persekutimi, privimi i lirisë, e rezistenca e përditshme, duket se janë disa nga elementët kyç, që bëjnë që personazhet, veçanërisht gratë, të lexohen me këtë tis trishtimi.

“Melankolia në poezi është gjithë ajo atmosferë që vesh ngjarjet, kur flitet për krimet e komunizmit, për histori mbijetese, për gra, sidomos për gra,  të cilat janë gati të sakrifikohen për t’u dhënë kuptim jetës së tjerëve. Ne në Shqipëri kemi shumë raste të tilla, gra heroina, pra gra burra. Gratë e thjeshta. Ti nuk mundesh ta veshësh poezinë me një lloj sfondi të cilin nuk e ka. Dhe melankolinë e dikton vetë material,  lënda, drama, konflikti. Nuk është një zgjedhje e imja, apo zgjedhje e autorit është tema e cila sugjeron, është mesazhi që sugjeron’

Ndërsa përkundrejt gruas që i duhet të jetë më shumë se grua, figurën e burrit, ndoshta sepse është e munguar, poezia e Lleshanakut e trajton me butësi e delikatesë, si një fëmijë që mban në duar një statujë të qelqtë.

“Është e vërtetë, gati e përkëdhel. Jam përpjekur t’ia shpjegoj vetes. Ndoshta ngaqë jam rritur pa baba, ndoshta ngaqë nuk kam pasur vëlla. Ndonjëherë poezitë shkruhen nga një perspektivë mashkullore dhe kjo më ka shërbyer edhe për të ezauruar një lloj kureshtje për gjininë tjetër .Pra përmes shkrimit duke u futur në lëkurën e një mashkulli jam munduar ta shikoj botën përmes kësaj. Se vetë procesi i shkrimit është edhe një lloj ezaurimi, kureshtje në vetvete, duket sikur çdo gjë caktohet prej teje krijohet prej teje. Në të vërtetë jo, ti mund të zgjedhësh thjesht një këndvështrim, dhe pjesa tjetër është zbulim”

Dy gjyshër të pushkatuar, xhaxhanë, Alushin, të vrarë, dajat të persekutuar... Copëza prej fëmijërisë në një shtëpizë në Krujë të Lleshanakut duket sikur i njohim prej vargjeve të poezisë saj. Në to shohim se si dinjiteti njerëzor reziston ndaj mizorisë së një sistemi. Por si ndihet poetja kur ritakon veten fëmijë?

“Edhe një nga pyetjet që më bënë në Munih ishte pikërisht kjo, se cila është marrëdhënia ime me fëmijërinë. Fëmijëria është fëmijëri është një lloj nostalgjie për të gjithë. Por ajo çka unë përjetoj kur kthehem në atë shtëpinë ku kam kaluar fëmijërinë është shumë herë me e fuqishme, pasi është shumë herë më e fuqishme gjithë lënda, gjithë historia, që u gatua në atë shtëpi. Ishin katër familje. Dajat e mi, një familje që prej vitit 1945 I ’u nënshtrua një persekutimi të vazhdueshëm. Nga internimi, në kampet me tela në 1945-ën, burgjet e herë pas hershëme e format e tjera të persekutimit. Kanë ndodhur shumë gjëra atje, të cilat janë pak si tepër për një jetë njerëzore, flas për kujtesën time. Por, ndërkohë falë ndoshta rrethanave, unë e quaj fat tashmë që kam jetuar mes njerëzve të tillë, të cilët shumë zor, më ka rastisur t’i takoj gjithkund ku kam mundur të shoh e të takoj njerëz. Njerëz me karakter shumë të fortë, njerëz të vendosur, që ishin të gatshëm të përballonin të gjithë atë që u solli jeta . Ata nuk kishin iluzione dhe as që përpiqeshin të na krijonin iluzione për botën. Në një farë mënyre na përgatitën për atë që na priste, na bënë më të fortë. Dhe unë, një pjesë të asaj që jam, mënyrën se si i shoh gjërat, me atë lloj ndjeshmërie, force të brendshme, them se është pikërisht ajo që kam marrë nga ajo shtëpi. Pra, është më shumë se thjesht një fëmijëri. Duke ditur atë lloj rolin deciziv që ka fëmijëria te ne, është shumë më tepër se kaq!”

Përmes këtyre personazheve, raporti i njeriut me pronën, po ashtu trajtohet me fisnikëri në poezinë e Lleshanakut. Por kur brezi i tretë po shuhet, e të rinjtë dalëngadalë ikin nga vendi, çfarë vlere i mbetet asaj? E çfarë na mbetet neve prej atdheut?

“Komunizmi qe i pari që i dobësoi marrëdhëniet tona me atdheun, edhe demagogjia më e madhe e komunizmit është nacionalizmi. Vërtet diktatorët, nuk kanë zot, nuk kanë familje e aq më pak komb. Si e dobësoi komunizmi marrëdhënien?! Filloi nga marrëdhënia me pronën. Nën regjimin komunist, njeriu humbi pronën. Marrëdhënia me pronën është ajo që të jep një lloj graviteti…Kur atdheu nuk të jep mundësitë që të ndërtosh të ardhmen tënde në këtë vend, atëherë sigurisht ti nuk i ke asnjë borxh atdheut dhe nuk ekziston asnjë marrëdhënie e tillë detyrimi midis teje dhe atdheut. Atdheu është një nocion abstrakt. Atdheu është komunitet, është ndihmë, suport mundësi, kur këto nuk ekzistojnë, atëherë atdheu nuk ekziston”

Qenë të shumtë ata që luftuan e shpresuan, se ajo që do të vinte pas rënies së sistemit komunist, s’do të mbarte politika të së kaluarës. Ata që shpresuan se atdheu do të bëhej toka e premtuar për zërat intelektualë, personalitetet e artit e kulturës, për njerëzit e thjeshtë… Por, a është dhe vetë Lleshanaku një personazh “Në ikje”?

“Duket sikur gjithë jetën kam jetuar midis dy vendeve. Në asnjë vend posaçërisht, por midis, dhe më ka pëlqyer kjo lloj jetese se, duket sikur gjithmonë ti e ke një alternativë tjetër. Psikologjikisht kjo është shumë e shëndetshme në të vërtetë, të kalosh një pjesë të kohës në Shqipëri, një pjesë të kohësh në një vend tjetër, sigurisht me aq sa ka qenë e mundshme deri tani. Por, edhe për një arsye tjetër, ndoshta pritshmëritë tona kanë qenë shumë të mëdha, të miat edhe të shumë njerëzve të tjerë.  Prej kohës atdheu më është dukur si të jetosh në një apartament të marrë me qera, ku ty nuk të lejohet të ngulësh asnjë gozhdë më tepër. Kjo perspektivë disi pesimiste, më ka bërë të bëj një lloj jete disi të izoluar, aq sa shumë miq të mi kur takohemi pas shumë kohësh më pyesin: Vërtetë këtu ke qenë ti gjatë gjithë kohës. Vërtetë këtu kam qenë, por kam qenë këtu dhe skam qenë këtu!”

Luljeta, sikundër edhe bashkëshorti i saj shkrimtari Lazër Stani i njohin mirë pasojat e regjimit komunist, i kanë të provuara në lëkurë. Sikundër u desh të njihnin edhe zhgënjimin që u mboll më tej, nga ata që premtuan. Por si i reziston krijimtaria e tyre sot, dallgëve të problemeve të përditshme, vështirësisë për të qenë i rehatuar në vendin tënd? E për më tepër, si është jetesa e dy shkrimtarëve në një shtëpi?

“Në bisedat tona,  ne përpiqemi të refuzojmë sa më shumë të jetë e mundur këtë banalitetin e të përditshmes. Në krijimtari nuk ke shokë, por shoqërues, ndaj sa i përket kësaj pjese, secili është i mbyllur në botën e vet. A ka hapësirë mjaftueshëm për të dy. Ndonjëherë më duhet sikur nuk ka për asnjë. Nuk është e lehtë, këto vite për ne kanë qenë të vështira, por jemi munduar që shumë pak kohë t’i marrim të përditshmes, të zakonshmes, për t’u marrë me letërsinë”

Nuk është e lehtë të jesh artist, njeri i letrave në Shqipëri. As kur bota, të ka vënë në panteonin e poetëve të mirë, siç ka ndodhur me Lleshanakun, ndaj dy vajzat e çiftit të shkrimtarëve janë orientuar drejt informatikës dhe elektronikës, ndërsa jetojnë në SHBA.  Poetja, e renditur mes emrave më të mirë të poezisë bashkëkohore në botë, si dhe pjesë e tryezave me peshë letrare, e ndjen diferencën mes trajtimit të shkrimtarëve në Shqipëri dhe politikave të dedikuara që bota perëndimore ndërmerr për artin e kulturën.

 “Sigurisht që në botën perëndimore ka politika shumë të mira për artin, për librin. Amerika funksionon përmes fondacioneve private ndërsa në Evropë janë fondet publike. Një rast mjaft interesant është se gjatë pandemisë u dha një mbështetje financiare në ndihmë të artistëve dhe argumenti ishte shumë me vlerë: “Nëse nuk mbështesim dhe lëmë në mëshirë të fatit artistët sot, nuk do të kemi se çfarë të konsumojmë nesër. Ky është vizioni në politikë, që gjithmonë t’i investon për nesër. Pra, nëse ne krijojmë një boshllëk sot, nesër s’do të kemi më galeri, ekspozita, autorë të botuar.  S’do të kemi drama për t’i vënë në skenë, s’do të kemi filma.” Gati u preka nga kjo, sepse ty të duket e çuditshme që këto janë gjëra krejt normale për pjesën tjetër të botës, sesi në ditën më të vështirë shteti kujdeset për artin, duke i paraprirë të ardhmes."

E megjithatë, jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe përkthimi është një tjetër urë komunikimi që Lleshanaku vendos me dashamirësit e letërsisë së përzgjedhur. Numëron 5 përkthime, të sjella në shqip me të njëjtin kujdes që një autor do të trajtonte botimet e tij. Nga shkrimtarja e njohur amerikane Joyce Carol ka përkthyer “Bijën e Varrmihësit”, libri “Qeni” mban firmën e anglo-amerikanit Joseph O’Neill, “Zhurma e bardhë”  e Don Delillos, Përmbledhjen me ese kritike rreth poezisë së Helen Vendler  dhe së fundmi “Poezi të Zgjedhura” nga Thomas Kinsella-s. Por cila është diferenca mes këtyre dy proceseve, të shkruarit dhe përkthimit?

“Përkthimi kërkon shumë angazhim, por nuk ka të krahasuar me krijimtarinë. Ndryshe nga përkthimi, krijimtaria varet nga faktorë që nuk varen prej teje. Për përkthimin duhen disa elementë të cilët janë të menaxhueshëm. Duhet të njohësh gjuhën mirë, të dish të bësh përkthim letrar. E treta duhet të ruash disa parametra, të atij ndërmjetësit midis autorit dhe lexuesit. Pra, je i padukshëm. Madje sa më i padukshëm të jesh, aq më përkthyes i mirë je. Do vullnet, sqimë, që të arrish të kuptosh ata elementë që janë ritmi, stilistika, gjuha dhe kryesisht domethënia, mesazhi që kërkon të përcjellë autori. Pra kërkon edhe një lloj përvoje artistike, dhe pse jo, mund ta themi një lloj inteligjence artistike. Është një punë kolosale, jo më kot thonë se puna e përkthyesit është gjithmonë e pashpërblyer. Se në fund, meritat i merr autori. Por kur i krahasoj të dyja janë të pakrahasueshme. Gjithkush mund të bëjë një përkthim, por jo gjithkush mund të shkruajë diçka të bukur”

Kadare e tanimë edhe Lleshanaku përmes krijimtarisë së tyre, bëjnë të flitet jashtë kufijve për Shqipërinë. Por si perceptohet ky vend që jetoi afro gjysmë shekulli izolimin komunist?

"Kureshtje të madhe kanë jo aq për letërsinë, sesa për Shqipërinë. Për faktin se ka qenë 47 vjet i izoluar, por edhe si një zonë antropologjike e veçantë. Si popull ne për ta përfaqësojmë një lloj sensacion, ndoshta prej këtu lind edhe ajo kureshtja që i nxit drejt letërsisë shqipe. Kjo kureshtje është ende e madhe, e madje shfrytëzohet nga botuesit dhe kur në panaire. Ata kujdesen që përbri librit të vendosin një përshkrim të vendit, edhe për të tërhequr vëmendjen e lexuesve”

Disa herë kandidate e finaliste e çmimeve më të rëndësishme që jepen për poezinë në botë. E, ndërsa pritet me ankth rezultati i “Poetit Evropian të Lirisë për këtë vit”, kritika në Shqipëri ka nisur ta shikojë Lleshanakun si një propozim alternativë për “Nobelin”. Mirëpo synimi i saj, mbetet tjetër: Rizbulimi i vetes e lartësimi në poezi.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja