Eliminimi i Norvegjisë nga Kupa e Botës 2026 në çerekfinale ka sjellë polemika të mëdha, me kritikat që janë përqendruar te vendimet e arbitrit francez Clement Turpin.

Në qendër të debatit është goli i parë i Anglisë, i shënuar nga Jude Bellingham, ku norvegjezët pretendojnë se aksioni duhet të ishte ndalur pasi topi, pas një rivënieje nga portieri Orjan Nyland, dyshohet se preku kamerën ajrore të stadiumit dhe ndryshoi trajektoren.

Anglia përfitoi nga situata, rikuperoi topin dhe ndërtoi aksionin që solli barazimin, ndërsa më pas Bellingham realizoi edhe golin e dytë në kohën shtesë, duke siguruar kualifikimin e "Tre Luanëve".

Pas ndeshjes ka reaguar ashpër edhe babai i Erling Haaland, Alfie Haaland. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai kritikoi vendimet e gjyqtarit.

"Vërtet? Ju shpëtoi arbitri. Shpresoj ta fitoni Botërorin, por sot ndihemi të vjedhur", shkroi ai.

Në një dalje televizive, ish-futbollisti norvegjez theksoi se skuadra e djalit të tij u dëmtua nga dy vendime të rëndësishme.

"Norvegjia u dëmtua nga dy vendime të rënda. Goli i parë i Anglisë nuk duhej të pranohej, ndërsa goli i Erling u anulua padrejtësisht. Nëse ky konsiderohet faull, atëherë gola të tillë do të anuloheshin çdo fundjavë", deklaroi Alfie Haaland.

Ai komentoi gjithashtu edhe një moment të Alexander Sorloth, duke kritikuar sulmuesin për një zgjedhje të gabuar në një kundërsulm të rëndësishëm.

"Në atë situatë duhej të pasonte. Ishte një rast ku duhej menduar për skuadrën, jo të kërkohej zgjidhja individuale", tha ai.

Eliminimi i Norvegjisë ka lënë pas shumë diskutime, ndërsa Anglia vijon rrugëtimin në Botëror me objektivin për të shkuar deri në fund të turneut. Dy gjysmëfinalet e turneut janë Francë - Spanjë dhe Angli - Argjentinë.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.