Një situatë e pazakontë është krijuar në prag të Kupës së Botës 2026, ku Federata Iraniane e Futbollit ka kërkuar nga FIFA (organi më i lartë i futbollit botëror) zhvendosjen e ndeshjeve të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikë, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë; kjo si pasojë e konflikteve të 19 ditëve të fundit në Lindjen e Mesme.
Kërkesa erdhi në sfondin e tensioneve gjeopolitike dhe deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat, sipas palës iraniane, ngritën dyshime serioze për garantimin e sigurisë së ekipit kombëtar.
“Meqenëse Presidenti i SHBA-së deklaroi se nuk mund të garantojë sigurinë e ekipit tonë, ne nuk do të shkojmë në Amerikë. Kërkojmë zhvendosjen e ndeshjeve në Meksikë”, është shprehur presidenti i federatës iraniane, Mehdi Taj, sipas burimeve zyrtare.
FIFA ka reaguar duke refuzuar çdo ndryshim nga programi fillestar. Në një deklaratë për mediat, institucioni më i lartë i futbollit botëror theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha federatat pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, por pret që të gjitha skuadrat të respektojnë kalendarin zyrtar të publikuar më 5 dhjetor 2025.
"FIFA është në kontakt të rregullt me të gjitha shoqatat anëtare pjesëmarrëse, përfshirë (Republikën Islamike të Iranit), për të diskutuar planifikimin për Kupën e Botës FIFA 2026. FIFA pret me padurim që të gjitha ekipet pjesëmarrëse të garojnë sipas orarit të ndeshjeve të shpallur më 6 dhjetor 2025", thuhet në reagim.
Ndeshjet e Iranit kundër Zelandës së Re dhe Belgjikës janë programuar për t'u zhvilluar në qytetin Inglewood të Kalifornisë, teksa sfida kundër Egjiptit për në Seattle.
Pavarësisht kërkesës së Teheranit, ndeshjet e Botërorit 2026 pritet të zhvillohen sipas planit fillestar, duke lënë çështjen e sigurisë dhe tensioneve politike si një temë të nxehtë jashtë fushës së blertë.
Kupa e Botës 2026 do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente












