Me shumë vështirësi dhe falë një përmbysje me zemër në dorë Brazili ia ka dalë të eliminojë Japoninë në 1/16-t e Botërorit. Në Hjuston ‘seleçao’ fitoi me rezultatin 2-1, por e nisi në malore përballë aziatikëve të cilët u treguan ‘kockë e fortë’.
Edhe pse të besuarit e ‘seleçaos’ kishin kontrollin e lojës, në minutën e 29 një pasim i gabuar i Danilos në mesfushë u kthye në gol nga Japonia. Sano avancoi dhe në hyrje të zonës mposhti edhe portierin Alison, duke bërë surprizën.
Në vijim Brazili e pati shumë të vështirë të reagonte. Madje humbi edhe Paqueta-n e dëmtuar. Megjithatë nuk u dorëzua dhe pas disa tentativash barazoi në minutën e 56 me Casemiron.
Pas golit Brazili komandoi lojën, por goli i fitores do të vinte vetëm në shtesë. Në minutën e 95 Martinelli mori një asist perfekt në zonë nga Guimaraes dhe nuk gaboi. Festë e madhe te Brazili që mes dhimbjesh kalon në 1/8-t e Botërorit.
Për t’u theksuar se nga loja i dëmtuar doli edhe Casemiro, duke iu shtuar infermierisë bashkë me Paqueta-n dhe Rapinha-n. Pavarësisht këtyre detajeve nuk pati minuta për Neymar, ndërsa në 1/8 Brazili do të përballet me fituesin e çiftit Norvegji-Bregu i Fildishtë.
Brazil 2-1 Japoni
Zhvillimet më të rëndësishme
90+5'- Brazili përmbys në limite ndeshjen. Martinelli shënon për 2-1.
56'- Vjen barazimi i Brazilit pas disa rasteve. Casemiro shënon me kokë.
45+3'- Përfundon pjesa e parë. Japonia e mbyll në avantazh kundër Brazilit
29'- Sano përfiton nga një gabim në mesfushë dhe pas marshimit godet në hyrje të zonës duke kaluar Japoninë në avantazh
1’- Ka nisur në Hjuston ndeshja e Brazilit kundër Japonisë për 1/16-t e Botërorit
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Japonia i dha fund aventurës së saj në Botërorin 2026, pasi u eliminua në fazën e 1/16-ve nga Brazili, duke u përmbysur 2-1 me një gol të Gabriel Martinellit në minutat e fundit të takimit.
Pas ndeshjes, trajneri i përfaqësueses japoneze, Hajime Moriyasu, nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si erdhi eliminimi, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të dhimbshme për skuadrën e tij.
“Kjo natë është shumë e dhimbshme për të gjithë ne. Ishim shumë pranë arritjes së diçkaje speciale dhe të humbasësh në minutat e fundit është jashtëzakonisht e vështirë. Megjithatë, jam krenar për secilin prej futbollistëve të mi. Ata dhanë gjithçka për Japoninë”, deklaroi Moriyasu.
Tekniku japonez vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij, duke theksuar se futbollistët treguan kurajo, disiplinë dhe karakter përballë një prej kombëtareve më të mëdha në historinë e futbollit.
“Dhoma e zhveshjes është plot emocione. Ka lot, sepse këta futbollistë e përjetojnë thellë këtë humbje. Ata ëndërronin të shkonin sa më larg në këtë Botëror dhe ta humbasësh atë ëndërr në momentet e fundit është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar”, u shpreh ai.
Në fund, Moriyasu u kërkoi lojtarëve të tij të mos ulin kokën, duke theksuar se një rezultat nuk mund të zbehë atë që skuadra ka arritur në këtë turne.
“Iu thashë të qëndronin me kokën lart. Një rezultat nuk e përkufizon këtë skuadër. Ajo që arritëm në këtë Botëror ka frymëzuar miliona njerëz dhe shpresoj që ta kujtojnë këtë kur dhimbja të fillojë të zbehet”, përfundoi trajneri i Japonisë.
Trajneri i kombëtares së Brazilit në futboll, Carlo Ancelotti, u shfaq i qetë dhe i bindur pas fitores dramatike 2-1 ndaj Japonisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, duke theksuar se në asnjë moment nuk kishte humbur besimin te skuadra e tij dhe se 'Seleçao' po tregon progres të vazhdueshëm.
“Gjatë pjesës së parë u thashë lojtarëve të ishin të duruar, sepse herët a vonë do të shënonim. E rëndësishme ishte të ruanim strukturën tonë. E dimë që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu”, deklaroi tekniku italian pas ndeshjes.
Brazili u gjend në disavantazh pas golit të Kaishu Sano në pjesën e parë, ndërsa paraqitja e dobët ngriti dyshime për eliminimin e mundshëm të pesë herë kampionëve të botës. Megjithatë, Casemiro riktheu baraspeshën, ndërsa Gabriel Martinelli, i aktivizuar nga stoli, realizoi golin e fitores në kohën shtesë.
Sipas Ancelottit, ndryshimet taktike në pushimin mes pjesëve ishin vendimtare për përmbysjen e rezultatit.
“Në fillim u përpoqëm të krijonim epërsi në mesfushë, por nuk funksionoi sepse ata mbronin shumë ngushtë. Në pjesën e dytë ndryshuam qasjen, luajtëm më shumë në thellësi dhe qarkulluam topin më mirë në fazën sulmuese. Në fillim e kishim të vështirë të gjenim hapësira, por më pas e zgjidhëm këtë problem shumë mirë”, u shpreh ai.
Trajneri zbuloi gjithashtu se kishte menduar të aktivizonte Neymarin nëse Brazili nuk do të arrinte të barazonte rezultatin.
“I thashë Neymarit se nëse nuk barazonim deri në një moment të caktuar, do ta fusja në fushë”, tha Ancelotti.
Megjithatë, 34-vjeçari vazhdon të ketë një rol të kufizuar në këtë Kupë Bote, pasi deri tani ka luajtur vetëm 15 minuta si zëvendësues në ndeshjen ndaj Skocisë, kur fitorja ishte siguruar tashmë.
Komente





