Nuk është Brazil me 5 yje, por një ekip shumë i disiplinuar në fushën e lojës, që ashtu siç ka premtuar Ancelotti po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje. ‘Seleçao’, në ndeshjen e fundit të grupit C në Botëror, ia doli të zinte vendin e parë falë fitores 3-0 kundër Skocisë.

Në ‘Hard Rock Stadium’ të Floridas ndeshja u zhbllokua që në minutën e 7 nga Vinicius Junior, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes dhe topit të dhënë nga Rayan. Pothuajse nga i njëjti gabim Vinicius dyfishoi shifrat, por arbitri e anuloi për faul para se futbollisti i Real Madrid të realizonte në pjesën e dytë me kokë.

Pas ndeshjes Vinicius u shpreh se ‘Ancelotti i detyrohet një dhuratë’, pasi ai i kishte premtuar që do të realizonte me kokë, por italiani nuk e kishte besuar. Sa i takon duelit ai u vulos nga rrjeta e Matheus Cunha-s. Më shumë se rezultati dhe fitorja 3-0 Brazili dëshmoi se është solid këtë Botëror dhe shumë i fortë në mbrojtje.

Mbrëmjen më të veçantë e bëri edhe rikthimi i Neymar në fushë. Numri 10 veshi fanellën e Brazilit pas 981 ditësh, ndërsa dëshmoi se mund të jetë i vlefshëm për raundin tjetër. Pas ndeshjes trajneri Ancelotti tha se ‘jam i lumtur pasi skuadra është përmirësuar nga ndeshja hapëse’. Ai shtoi se ‘Brazili tani po luan si ekip, por duhet që të përmirësohen ende’.

Brazili e mbylli grupin C në vendin e parë me 7 pikë, po aq sa Maroku që mposhti 4-2 me përmbysje Haitin. Në 1/16 ‘seleçao’ përballet me vendin e dytë në grupin F, që aktualisht mbahet nga Japonia. Rivalë të tjerë të mundshëm janë Holanda dhe Suedia, por gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit të këtij grupi.

Për t’u theksuar se vendi i dytë i grupit C, Maroku, përballet me vendin e parë të grupit F, që aktualisht mbahet nga Holanda. Detaj tjetër është se Skocia e mbylli në vendin e 3 me 3 pikë dhe duhet të presë për të mësuar nëse është një mes 8 vendeve të treta më të mira nga 12 që janë gjithsej. Sakaq Haiti përfundoi e eliminuar.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.