Franca pretendente për të fituar Botërorin, pas 10 golave të realizuar në fazën e grupeve, do të përballet sonte kundër Suedisë në ndeshjen e parë me eliminim direkt. ‘Gjelat’ sipas ekspertëve pritet të kalojnë pa shumë mundime nordikët, të cilët duhet thënë se kanë disa elemente mjaft cilësorë në përbërje.

Megjithatë sipas Ibrahimoviç Suedia nuk ka shanse kundër francezëve. Para ndeshjes, legjenda e kësaj kombëtareje, është shprehur se ‘nuk shikon asnjë kombëtare që mund të eliminojë Francën’, ndërsa sipas tij ‘Suedia do e ketë të pamundur të mbajë portën të paprekur’.

Për këtë duel në 1/16-t e Botërorit Francës i është rikthyer në bankinë trajneri Didier Deschamps, i cili mungoi kundër Norvegjisë për shkak të një fatkeqësie familjare. Para duelit Deschamps e ka pranuar që Franca është favorite dhe ka siguruar se do të luajë sërish në sulm. Konkretisht ai ka deklaruar se ‘gjelat kanë shumë kapacitet në sulm dhe do të vijojnë këtë edhe në duelin kundër Suedisë’.

Franca vjen në këtë duel si një prej 3 kombëtareve që u kualifikua me pikë të plota në fazën e grupeve, ndërsa Suedia si vend i tretë. Madje nordikët bënë një paraqitje tejet zhgënjyese kundër Holandës, duke u mposhtur 5-1. Fituesi i këtij dueli në 1/8-t e Botërorit do të përballet me Paraguain.

Në orën 03:00 të mëngjesit do të luhet edhe dueli tjetër i fazës së 1/16 mes Meksikës dhe Ekuadorit. Në ‘Azteca’ vendasit konsiderohen lehtësisht favoritë, ndërsa vijnë në këtë duel pas pikëve të plota të grumbulluara në fazën e grupeve.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.