Tre gola, kartona, tension, raste, polemika dhe një histori lufte që zgjat që nga viti 1982. Argjentina, kampione bote në fuqi përmbysi 1-2 Anglinë në Atlanta për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026, duke marrë biletën e mbetur për në finalen e 19 korrikut kundër Spanjës.

Argjentina festoi në fund, por futbollistët në fushë nuk mund të shmangnin pjesën politike. Kujtimi i konfliktit të armatosur të vitit 1982 për sovranitetin mbi Ishujt Falkland (Malvinas) dhe humbja e Argjentinës në atë luftë mbeten thellësisht të ngulitura në vetëdijen kombëtare dhe çdo ndeshje kundër Anglisë është një mundësi për të riafirmuar të drejtën e Argjentinës mbi arkipelagun e Atlantikut të Jugut, sot një territor nën administrimin e Mbretërisë së Bashkuar.

Disa minuta pas vërshëllimës së fundit, ndërsa euforia vazhdonte ende, disa lojtarë të ekipit kombëtar argjentinas, të udhëhequr nga Giovani Lo Celso, shtrinë një flamur të bardhë në fushë me një mesazh të qartë: "Malvinas janë argjentinase". Flamuri fillimisht u mbajt nga Lisandro Martinez, më pas iu bashkua Lo Celso dhe një pjesë e madhe e futbollistëve.

Reagimet pas ndeshjes

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel nuk pranoi asnjë kritikë pas humbjes, duke thënë se ekipi i tij ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira, 'për mos thënë më të mirën'.

"Ka miliona trajnerë pas ndeshjes që e dinë se çfarë duhej bërë më mirë. Është e lehtë të thuash se vendimet e mia ishin të gabuara pasi gjërat nuk shkuan mirë. Nuk kam asnjë pendesë. Zhvilluam një nga ndeshjet tona më të mira, në mos më të mirën", tha mes të tjerash Tuchel.

Nga ana tjetër, Lionel Scaloni nuk mund ta fshihet emocionin duke thënë se të tijtë e merituan fitoren. Nuk mund të mungonin elozhet për Messin.

"Shpresoj që tifozët spanjollë të jenë të lumtur që do të përballen me Argjentinën në finale, duke pasur parasysh gjithë gëzimin që Leo Messi i ka dhuruar atij vendi. E di që shumica e njerëzve në Spanjë e duan Messin.

Çfarë tjetër duhet të bëjë Messi që të njihet si futbollisti më i madh në histori? Nuk ka më asnjë dyshim.

Jemi unikë, më besoni. Këta lojtarë…., është e pamundur për t’u shpjeguar. E merituam fitoren ndaj Anglisë. Kur ndiejmë erën e gjakut, hidhemi në sulm", tha Scaloni, trajneri kampion bote në fuqi.

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane ishte i dëshpëruar për mënyrën sesi shkoi loja.

"Jam i shkatërruar. I shkatërruar për djemtë, për të gjithë, stafin dhe tifozët. Bëmë një ndeshje të mirë në pjesën më të madhe të kohës. Kur shkuam 1-0 dukej se u limituam me rezistencën. Në këtë nivel, nuk është e mjaftueshme", tregoi Kane, autori i gjashtë golave këtë Botëror.

"Vuajtëm për të ushtruar presion. Besoj se sidomos në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës i presuam mirë. Rikuperuam topa në gjysmëfushën kundërshtare dhe kontrolluam ndeshjen. Patëm momente të bukura në këtë turne, ndeshje të mira.

Një tjetër gjysmëfinale, një hap larg fitores. Duhet të gjejmë vetëm atë pjesën që mungon në fazën finale të kompeticionit. Këta turne të shterojnë energjitë, presioni dhe mentaliteti. Kemi treguar shumë këto 6-7 javë, na mungon vetëm ai hapi final", tha Kane.

Pas ndeshjes nuk munguan përplasjet në fushë. Jude Bellingham i Anglisë nuk duroi dot festën e Argjentinës duke goditur me shpullë pas koke një prej kundërshtarëve. Kaq mjaftoi që për disa sekonda gjakrat të nxeheshin.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Derdhi lot pas golit kundër Anglisë, Lautaro: Kam ëndërruar për këtë moment që kur im atë më bleu këpucët e futbollit

1784194988_lautaromartinez.jpeg

Lautaro Martinez ishte heroi i Argjentinës në gjysmëfinalen ndaj Anglisë, duke realizuar golin e fitores në minutat shtesë dhe duke dërguar kampionët në fuqi në finalen e Kupës së Botës 2026, ku do të përballen me Spanjën.

"Ky është një emocion shumë i fortë, shumë i fortë për t'u duruar. Pasi shënova, mendova për herën e parë që babai më bleu një palë këpucë futbolli, që atëherë kam dashur ta shënoj këtë gol. Është një ëndërr e bërë realitet, një gëzim i pakufishëm. I thashë Medinës në stol: 'Tani do të hyj dhe do të shënoj'. Tani kemi një tjetër finale përpara. Është diçka magjike", tha ai.

Lautaro vërtet ka lumturi në sytë e tij. Një lumturi intensive dhe të thellë.

"Unë jam burrë dhe e shijoj jetën. E ëndërrova këtë moment, betohem. Enzo gjithashtu shënoi një gol fantastik dhe kjo skuadër vazhdon të vërtetojë vlerën e saj. Anglezët u lodhën gradualisht. Ata ushtruan presion për 60 minuta dhe ishin të rraskapitur. Pas golit, ata u qetësuan dhe kjo na dha më shumë qetësi shpirtërore. Ne e shpërndamë lojën dhe morëm kontrollin e saj", tregoi ai.

Ora 11:24
Argjentina rrezikon gjobë nga FIFA për banderolën 'Las Malvinas', historia e luftës me Mbretërinë e Bashkuar! U vranë 910 ushtarë

1784193945_argjentina.jpg

Pas fitores 1-2 ndaj Anglisë në Kupën e Botës 2026, lojtarët e Argjentinës shfaqën një banderolë në lidhje me territorin e diskutueshëm të Mbretërisë së Bashkuar, të njohur si Ishujt Falkland.

Argjentina rrezikon mundësinë e masave disiplinore pas fitores së saj në gjysmëfinale ndaj Anglisë, pasi lojtarët e saj mbajtën një banderolë që mbështeste pretendimin e vendit të tyre për Ishujt Falkland. Por vendimi për të hapur një banderolë me shkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (Malvinas janë argjentinase) mund të çojë në një gjobë nga organi qeverisës i futbollit, FIFA.

Në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit me 30,000 franga zvicerane (32,455 euro) kur lojtarët pozuan për foto para një banderole me të njëjtin mesazh në përgatitje të një ndeshjeje kundër Sllovenisë. Sipas Kodit të Sjelljes së Stadiumit të FIFA-s, të publikuar para fillimit të turneut, "banderolat, flamujt, fletushkat, veshjet dhe sendet e tjera që janë me natyrë politike, ofenduese dhe/ose diskriminuese" janë të ndaluara.

Zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, shkroi: "Ata ndaluan mbajtjen e tyre (banderolave) në stadium dhe harruan se ne i mbajmë në gjak dhe në zemrat tona".

Ishujt Falkland ishin në qendër të një lufte midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës në vitin 1982, në të cilën u vranë 655 ushtarë argjentinas dhe 255 ushtarë britanikë.

Argjentina prej kohësh ka pretenduar sovranitet mbi Ishujt Falkland, të cilët i quan Ishujt Malvina, duke argumentuar se arkipelagu i Atlantikut Jugor u pushtua në mënyrë të paligjshme nga Britania në vitin 1833.

Mbretëria e Bashkuar e hedh poshtë pretendimin, duke pohuar se ka sovranitet mbi ishujt dhe se banorët e ishullit votuan me shumicë dërrmuese në një referendum të vitit 2013 për të mbetur një Territor Britanik Jashtë Detit.

OKB-ja nuk e mbështet pretendimin e sovranitetit të asnjërit vend, por u ka bërë thirrje vazhdimisht të dy qeverive të rifillojnë negociatat për të arritur një zgjidhje paqësore.

Ora 11:12
Lionel Messi: I njoh lojtarët e Spanjës sepse disa luajnë për Barçën time, pres finale të barabartë

1784193163_lionelmessi.JPG

Pas fitores 1-2 kundër Anglisë dhe arritjes në finalen e Kupës së Botës 2026, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi foli për rivalin e fundit, Spanjën. 'Pleshti' tha se i njeh lojtarët e Spanjës pasi disa prej tyre luajnë për Barcelonën, ish-klubin e tij. Për Messin finalja do të jetë e barabartë dhe do ndahet me rezultat të ngushtë.

"E njoh mirë skuadrën spanjolle dhe ata kanë një stil loje që e kanë zhvilluar gjatë shumë viteve. I njoh edhe lojtarët. Kam luajtur kundër shumë prej tyre dhe i ndjek nga afër. Disa nga lojtarët luajnë për Barçën, një klub që do të thotë shumë për mua dhe me të cilin ende vazhdoj të kem lidhje. Do të jetë një finale e veçantë e Kupës së Botës dhe natyrisht, pres që të jetë shumë e ngushtë.

Çdo gjë që kam përjetuar me këtë grup që kur u riktheva për Kupën e Amerikës 2019 ka qenë e pabesueshme, përtej çdo gjëje që mund ta kisha imagjinuar. Kam shijuar çdo minutë të tij dhe jo vetëm sukseset dhe trofetë që kemi fituar. Të ndash jetën e përditshme me ta dhe të garosh përkrah tyre... ka qenë një udhëtim vërtet i mrekullueshëm dhe gjithashtu u kemi sjellë tifozëve shumë gëzim. Jam shumë i lumtur.

Mendoj se treguam përsëri atë që kemi bërë prej vitesh. Ky ekip luan futboll të lirë dhe me cilësi të lartë. Jemi të duruar dhe dimë si t'i lexojmë momentet kyçe në një ndeshje. Mendoj se e diktuam ndeshjen që nga fillimi. Edhe pse nuk krijuam raste të qarta para pjesës së parë, e kishim kontrollin dhe mbajtëm shumë topin. Dhe pasi ata shënuan, ishim edhe më të mirë", tha Messi.

Ora 10:58
'Faji i Tuchel' dhe 'Arrogancë argjentinase', shtypi anglez e ka me trajnerin gjerman të kombëtares

1784192361_anglia.JPG

Eliminimi i 'Tre Luanëve' në gjysmëfinalen e Kupës së Botës nga Argjentina, e ka ndarë shtypin britanik. Një pjesë e mirë e medieve ka shprehur zemërim të thellë për banderolën e Ishujve Falkland.

Një pjesë tjetër e gazetave dhe portaleve britanike është marrë me trajnerin Thomas Tuchel, duke e akuzuar ashpër për taktikën shumë mbrojtëse që zgjodhi pasi Anglia kaloi në avantazh me Gordon.

Shumë tituj të shtypit anglez ishin një sulm ndaj rivalëve, me banderolën “Malvinas janë argjentinase” në vend të fotos kryesore. Po ashtu, të pashmangshme nga shtypi britanik akuzat ndaj trajnerit gjerman Tuchel, i kritikuar hapur edhe nga specialistët e futbollit.

Anglia po kontrollonte lojën dhe pasi shënoi u tërhoq në mënyrë të pakuptimtë në zonën e saj, duke ia lënë gjithë fushën Argjentinës, që përfitoi dhe realizoi dy gola.

Ora 10:12
VIDEO/ Portieri Pickford lë shënimet në fushë, futbollistët e Argjentinës zbulojnë 'armën sekrete' të Anglisë

1784189669_argjentina.jpg

Portieri i Anglisë, Jordan Pickford, ishte i përgatitur për gjuajtjet me penallti kundër Argjentinës, por kur lojtarët rivalë i gjetën shënimet e tij ishte tepër vonë pas anglezët u përmbysën 1-2.

Momenti kur lojtarët e Argjentinës me Lionel Messin në krye kanë gjetur shënimet e Pickford është bërë viral në internet. Portieri i Anglisë kishte studiuar goditjet e penalltive të rivalëve, duke i shënuar në shishen e tij të ujit, siç bëjnë zakonisht portierët.

Mirëpo këto të dhëna nuk i hynë në punë Pickford pasi Anglia e tij humbi 1-2 brenda 90 minutave. Interesant është reagimi i futbollistëve të Argjentinës që kanë zbuluar 'armën sekrete' të rivalëve, paçka se gjithçka kishte përfunduar.

Kamerat kapën momentin kur Nico Gonzalez, Lionel Messi dhe mbrojtësi Marcos Senesi po e shikonin me kureshtje shishen, ndërsa një pjesë e bisedës së tyre u bë virale nga leximi i buzëve. 

“Shikoni çfarë gjeta. Ka shënime për Lautaron, Julianin…”, thotë Nico González.

“Po, janë të gjithë lojtarët aty”, iu përgjigj një anëtar i stafit teknik.

Messi, i habitur, pyeti: “Çfarë? Po çfarë nënkuptojnë këto shënime?”

Stafi i kërkoi Marcos Senesit, i cili flet anglisht, t’ua përkthente.

“Aty shkruan se në cilën anë duhet të hidhet portieri”, shpjegon  Senesi.

“Për portierin Pickford?”, pyeti Messi.

“Po. Për ty, Leo, shkruan: ‘Shtiru sikur do të hidhesh majtas, por hidhu djathtas’”, iu përgjigj Senesi.

Messi reagoi me buzëqeshje: “Paska studiuar me shumë kujdes mënyrën se si i gjuaj penalltitë”.

Ora 09:54
VIDEO/ Jude Bellingham godet me shpullë futbollistin e Argjentinës, sherr pas ndeshjes gjysmëfinale

Jude Bellingham nuk i ka mbajtur dot nervat pas humbjes së Anglisë kundër Argjentinës. Mesfushori ka parë rivalët të festojnë përpara syve të tij dhe ka goditur me shpullë në kokë një prej rivalëve, pikërisht Valentin Barco.

Kaq ka mjaftuar që për disa çaste gjakrat në fushë të ndizeshin dhe futbollistët nga dy kampet të kishin shtyrje mes tyre.

Ora 09:38
VIDEO/ Festë e madhe në Buenos Aires, tifozët e Argjentinës mbushin rrugët dhe sheshet pas fitores kundër Anglisë

Fitorja 1-2 me përmbysje kundër Anglisë ka bërë që tifozët e Argjentinës të jenë në festë të madhe. Kulmi ishte në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires. Mijëra tifozë e ndoqën përballjen në rrugët dhe sheshet e qytetit ndërsa pas përballjes festa ishte legjitime.

Atmosfera u elektrizua nga këngët tradicionale të tifozëve, si “Muchachos”, “Olé, olé, olé, Messi, Messi” dhe “Kush nuk kërcen është anglez”, ndërsa himni i ri i këtij Botërori, “La cuarta estrella” (“Ylli i katërt”), u këndua në kor nga turma. Boritë e makinave dhe fishekzjarrët shoqëruan festimet deri në orët e vona të natës.

Festë kishte edhe në qytetete e tjera të Argjentinës dhe në shtetet ku komuniteti argjentinas është i madh.