SHKODËR- Kori i protestave te Tiranës u zhvendos në Rrjoll, edhe kësaj here ashtu si për Zvërnecin, për kundërshtimin e një resorti luksoz, atë të botuesit Bashkim Ulaj, me të cilin janë në betejë prej disa muajsh për pronat ku do zhvillohet projekti.

“Nëse mundemi do e heqim rrethimin. Për shtetin kemi thirrje, mos na bjer në qafë”, tha një protestues.

 Banorët e Rrjollit, aktivistë por dhe mbështetës të tjerë, të cilët prej ditësh kanë qenë në sheshet e kryeqytetit, fillimisht ndërhynë për të shembur rrethimin e vendosur mbi muret e betonit dhe hynë brenda kantierit.

Policia e Shtetit ndryshe prej herëve te tjera dukej qartazi e orientuar për mbajtjen nën kontroll të situatës. Asnjë person nuk u shoqërua. Në kantier nuk kishte roje private të sigurisë, ndërsa në krye të efektiveve të angazhuar në terren ishte vetë kreu i policisë së qarkut, Gentjan Berberi, i cili bisedoi disa herë më banorët.

Pasi hynë brenda kantierit protestuesit dukë përdorur mjete rrethanore, hoqën gardhin me tela me gjemba në rrethimin në fundin e kantierit pranë bregdetit, dhe rrëzuan disa nga shtyllat.

Pas kësaj, shembja e portës së madhe në kantier ishte objektivi i radhës i protestuesve, të cilën e shembën. Një prej organizatoreve te protestave edhe në Tiranë, banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj u shpreh e vendosur për të kundërshtuar investimet abuzive siç tha ajo mbi pronat e te parëve te tyre.

 Banorëve te Rrjollit ju bashkua edhe kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori dhe deputeti i partisë së tij Redi Muçi.

 Resorti ‘Blu Borgo’ në Rrjoll të Velipojës që po bëhet nga kompania Gener-2 e Bashkim Ulaj është planifikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.

Investimi është kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, pasi pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false nga një ish-zyrtar i cili më pas ia ka shitur kompanisë ndërtuese. Punimet kanë nisur që në shkurt, por ditët e fundit kantieri i ndërtimit u “fortifikua” me mure të larta.

Banorët kanë bërë padi në SPAK e cila e delegoi çështjen në prokurorinë e Shkodrës, por deri më tani s’ka asnjë zhvillim, ndaj punimet kanë vijuar normalisht.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
Arlind Qori në protestën e Rrjollit: Rrethimi i kantierit me tela me gjemba i paligjshëm, bllokon kalimin e qytetarëve në det

1781347948_arlindqori.jpeg

Kreu i Partisë, Lëvizja Bashkë, Alrind Qori bashkë me deputetin Redi Muçiu iu bashkuan protestës kundër ndërtimit të resortit luksoz në Rrjoll. Qori tha për Report Tv se rrethimi i kantierit me tela me me gjemba është i paligjshëm, pasi ndër të tjera pengon edhe kalimin e qytetarëve në det.

“Si mund të rrethosh me tela me gjemba, kalimin e qytetarëve në det. Kjo është e paligjshme dhe është mbështetur mbi vjedhjen e pronave të qindra qytetarëve. Pronarët me letra janë 1 e 2, ndërsa të shpronësuarit nga oligarkët janë me qindra. Padrejtësi ndaj pronarëve legjitim, ndaj publikut të gjerë. Këtu janë zona të mbrojtura, si mund të ndërtohet në këtë mënyrë. Përparësinë e kanë ata, ne jemi solidarë me ta”, tha Qori.

Ora 11:50
VIDEO/ Protesta kundër resortit luksoz të Ulajt në Rrjoll, banorët heqin edhe gardhin me tela me gjemba

Banorët e Rrjollit kanë arritur të heqin edhe gardhin me tela me gjemba, me të cilin botuesi dhe ndërtuesi i resortit Bashkim Ulaj kishte rrethuar kantierin e ndërtimit në brezin ranor, fare pranë bregut të detit.

Ora 11:37
Protesta kundër resortit luksoz në Rrjoll, një protestues i lënduar! Merret nga ambulanca (VIDEO)

Një protestues ka mbetur i lënduar gjatë protestës në Rrjoll kundër ndërtimit të resortit luksoz nga botuesi dhe ndërtuesi Bashkim Ulaj. Protestuesi ka pësuar një lëndim në këmbë gjatë momentit të përplasjes ndërsa hiqej rrethimi i kantierit të ndërtimit. Protestuesi është marrë nga ambulanca për t’i dhënë ndihmë mjekësore dhe nuk ka rrezik sa i takon gjendjes shëndetësore.

Ora 10:58
Bashkim Ulaj rrethoi kantierin e ndërtimit me mure të larta e tela me gjemba, protestuesi: Do ta heqim rrethimin, kërkojmë të drejtën tonë

1781341574_protestaperrrjollin.JPG

Banorët e Rrjollit janë ngritur sërish në protestë kundër ndërtimit të resorit luksoz të botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj. Një banor tha për Report Tv se kërkojnë të drejtën e tyre, duke akuzuar se pronat u janë rrëmbyer. Ai thotë se do ta heqin rrethimin.

“Kërkojmë të drejtën tonë. Na kanë rënë në qafe. Është e disata herë që protestojmë. As nuk na shkon ndërmend me u përplas. Nëse mundemi do e heqim rrethimin. Për shtetin kemi thirrje, mos na bjer në qafë”, tha një protestues.