Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish ditën e sotme blogerët dhe influencerët që mbështesin protestat kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
Nga Shkodra, ku PS po festonte 35-vjetorin e themelimit të degës, Rama tha se protestuesit po kërkojnë të përzënë nga Shqipëria investitorët e huaj dhe ta bëjnë vendin rezervat për blogerët dhe influencerët.
Teksa bëri një krahasim të turizmit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Rama tha se ne nuk jemi si ata, pikërisht sipas tij për shkak të përzënies nga vendi të investitorëve të huaj.
“Ne kemi zgjidhur këtë me Paketën e Maleve, këta thonë do u’a marrin tokat oligarkët. Këta thonë që të gjithë emigrantët që duan të investojnë në pronat e stërgjyshërve, por që nuk e kanë njohur 7501-shin, duhet ta harrojnë ta bëjnë këtë gjë, sepse nuk ka për ta asnjë zgjidhje tjetër sepse duhet të futen te 7501-shi. Po ka kohë Shqipëria të humbasë me këto pallavra? Malin e Zi e keni një vend ku keni hyrë e keni dalë që nga viti 1991. Shikojeni Malin e Zi si ka qenë në 1991 dhe si është sot? Pse nuk na kanë lënë të jemi si Mali i Zi? Sepse duan të nxjerrin të huajt jashtë. Sepse duan ta bëjnë Shqipërinë rezervat për blogera e influencera. Se më thonë pse bëre ashtu dje", tha mes të tjerash Rama.
Më tej kryeministri deklaroi se shumë influencerë dhe blogerë po e shfrytëzojnë protestën për folloëersa dhe për të bërë shitje online. Rama shtoi se blogeret dhe influenceret e duan bregdetin e Shqipërisë 'të virgjër', në mënyrë që sipas tij të mund të bëjnë foto 'me bikinit me rrip të hollë.'
"Më tregonte një nga ata punonjësit e rinj, ishte njëra te kulla Eifel, kishte bërë një foto kështu dhe dukej 3 herë më e gjatë se unë. Kur e pash thashë do më bjerë sipër. Dhe thoshte ‘u hap koha në Paris’. Natyrisht, se kur ti ke mundësi të shkosh në Paris e Dubai, hallall të qoftë. Por t’i s’ke pse u thua shqiptarëve ‘atje e dua komplet të virgjër bregun e detit, sepse atje do dal me bikini, me atë lidhsen e vogël’. Edhe këta që i shkojnë nga pas në protestë thonë ‘Inshallah i këputet lidhsja’. Kjo tjetra nxirrte kremra, që t’i kur të futeshe atje të bëje solidaritet për zogjtë, të shitej edhe ndonjë krem fytyre. Fytyre m’u duk mua, se kushedi ça fërkohej me të”, vijoi më tej kryeministri Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i themelimit të PS Shkodër, Rama shkon i veshur me një bluzë me flamingo: Duan të përzënë investitorët e huaj dhe ta kthejnë vendin në rezervat për blogerët e influencerët





