Kreu i grupit të PS, Taulant Balla pas mbledhjes me deputetët socialistë u pyet nga gazetarët për Vullnet Sinajn dhe Erion Braçen që kanë dalë kundër draftit të PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive në gjithë vendin. I pyetur nëse PS i ka 84 votat për miratimin e hartës së re territoriale, Taulant Balla tha se është vendim politik i grupit që të votohet pro në seancën e së enjtes.
Kreu i grupit socialist e cilësoi reformën territoriale “të vështirë”, por të domosdoshme, duke argumentuar se vendit i duhen bashki më të forta për të garantuar më shumë shërbime dhe për të përballuar sfidat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Taulant Balla: Dua të them që kemi pasur një diskutim të mirë dhe të frytshëm në mbledhjen e grupit parlamentar, në fillim të kësaj jave të punimeve parlamentare, ku nga kolegu Mazniku, i cili ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë qartësuar apo janë dhënë përgjigje për disa sqarime të ngritura nga kolegët e grupit parlamentar. Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare. Vota pro e grupit parlamentar të Partisë Socialiste hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë. Secili ka, le të themi, shqetësimet e veta. Ju përmendët me të drejtë kolegë, por një gjë është të kesh diskutimet e tua, mendimet e tua, dhe tjetër gjë është të kesh detyrimin për të votuar vendimin e përbashkët të grupit parlamentar. Puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve, sot dhe nesër maksimalisht, për t’iu përmbajtur parashikimit që Kuvendi vetë ka vendosur në kalendarin e tij, votimin në datën 8.
Pyetje: Vullnet Sinaj është shprehur kundër në rrjetet e tij sociale bashkimin e Selenicës me Vlorën. Si arritët ta bindni ju se kjo ndarje është e mirë?
Taulant Balla: E para, unë nuk thashë që e binda apo nuk e binda. Unë thashë që vendimi politik i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është që të gjithë deputetët duhet të votojnë pro.
Balla nuk përjashtoi as mundësinë që të ketë “ndëshkime” ndaj atyre deputetëve që ngrenë kartonin e kuq.
Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj: Ka penalitet për ata që dalin nga rreshti dhe mund të votojnë kundër vendimit tuaj politik?
Taulant Balla: Lexoni rregulloren e grupit.
Pyetje: A i keni 84 votat kësaj radhe?
Taulant Balla: Partia Socialiste, në Kuvendin e Shqipërisë, për reforma të rëndësishme që i duhen vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian... Dhe e theksoj: kjo nuk është një reformë e lehtë, është një reformë e vështirë. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon edhe vendimmarrje të vështira, të cilat mund të prekin interesa të natyrës lokale. Por të mos harrojmë se jemi në një fazë të tillë të procesit ku na duhen bashki të forta, së pari për të garantuar shërbime më të mira për komunitetet, por na duhen edhe bashki të forta për të qenë konkurruese me projektet në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe për të qenë gati për të aplikuar si bashki anëtare. Për shembull, një reformë më e thellë po ndërmerret nga një vend që është pak më pas nesh në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Moldavia. Ditën e premte, në mos gaboj, qeveria atje ka publikuar reformën e re administrativo-territoriale që e con vendin nga 12 apo 13 qarqe, në vetëm 3. Kështu që, në këtë këndvështrim, nuk është vetëm Shqipëria vendi që duhet të marrë këto hapa, por është një nevojë e domosdoshme.
Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj: Zoti Balla, do të keni takime apo negociata me dy prej deputetëve të grupit tuaj parlamentar, Vullnet Sinajn dhe Erion Braçen, të cilët janë shprehur kundër reformës territoriale? Ndoshta vota e tyre do të jetë kundër në seancën plenare të së enjtes dhe kjo cenon kalimin e këtij projektligji të rëndësishëm. Do të keni takime me ta?
Taulant Balla: Jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër, le të themi kulminant, të suksesit, që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku mbyllim një kapitull tjetër. Besoj që ky është momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.
Lajmi kryesor:
‘Territorialja’ të enjten në Kuvend! Braçe e Vullnet Sinaj kundër draftit të PS, miratimi i reformës në rrezik! Opozita te ‘Ligjet’: Ndërprisni mbledhjen, drafti i njëanshëm (VIDEO)







