Deputeti socialist Erion Braçe foli në Kuvend për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë në vitin 2021 duke thënë se FMN ka bërë sugjerime për zëvendësimin e Bordit të ushqimeve dhe masave mbështetëse për shtresën e ulët.
“Kemi pranuar të gjithë një vlerësues të pavarur, ndërkombëtar, jo vetëm për BSH por edhe ekonominë kombëtare. Në vlerësimin e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar e vë theksin edhe përtej politikës monetare. Natyrisht na qorton të gjithëve, mbi të gjitha ligjërimin tonë publik dhe politik. Vihet në dukje fakti që nuk kemi krizë, por goditje. Thuhet qartë, rritja e theksuar e çmimit të energjisë elektrike, e ushqimeve si dhe e kostos të financimit të jashtëm prej luftës në Ukrainë përfaqësojnë goditjen e tretë për ekonominë e Shqipërisë në vitet e fundit.
Së dyti, sjell në vëmendje faktin që do të kemi rritje ekonomike përsëri. Rritja e 2022 parashikohet të jetë 3%, mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi por e zbehur nga ndikimi i çmimeve në rritje. Së treti, bën një konfirmim të rëndësishëm që e ndjejnë qytetarët në xhepat e tyre çdo ditë. Bëhet fjalë për inflacionin dhe kësaj radhe me bazë të gjerë. Pritet që të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim nxitur nga çmimet e importit para se të kthehet sërish në objektivë në fillim të vitit 2024.
Pra FMN jep arsye të qartë se janë çmimet që vijnë nga importi duke sjellë në vëmendje faktin se jemi të varur prej tyre. FMN vlerëson masat e qeverisë. Natyrisht ka sugjerime për zëvendësimin e Bordit të ushqimeve dhe zëvendësimin me masa mbështetëse të shtuara kundrejt të varfërve dhe shtresave në nevojë. Buxheti është një nga problemet më të mëdha dhe s’duhet të kthehet në barrë për ekonominë Kombëtare”, tha Braçe.
Lajmi kryesor: