...
Projektligji për krijimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile u shoqërua me debate gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje. Pavarësisht se vlerësoi modelin kroat dhe malazez që ndjek ky draft, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu nuk bie dakord që ky Këshill të drejtohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe që mbledhjet t’i zhvillojë në Këshillin e Ministrave. Bregu solli në vemendje themelet që vuri qeveria e djathtë e drejtuar nga Sali Berisha në marrëdhënien e qeverisë me shoqërinë Civile, duke veçuar rolin e “Agjencisë për mbrojtjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).
“Në parim nuk e shoh të tepërt përmirësimin e marrëdhenieve të qeverisë me shoqërinë civile. Në 2009 ngritëm Agjencinë për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), më tej kartën për shoqërinë civile. Drafti që kemi sot këtu është një "miks" mes kroatit dhe Malit të zi, qëllimi është i mirë deri këtu nuk ka asnjë të jashtëzakonshme. Unë jam e bindur se reagimi civil në Shqipëri është në një atrofi, e po në të njëjtën atrofi është edhe pjesëmarrja civile. Shoqërisë civile i duhet hapësirë dhe këtë ja jep pavarësia. Këshilli do të drejtohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe mbledhjet do të zhvillohen në Këshillin e Ministrave. Agjencia për mbështetjen e shoqërisë civile është ent publik dhe buxhetor, që funksionon sipas legjislacionit në fuqi. Pse duhet që punët e zyrës të një Këshilli t’i kryejë një ent publik buxhetor?”, - tha Bregu.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi zgjodhi t’i përgjigjej vetë këtyre akuzave. Nga foltorja e Kuvendit ai tha se kjo mazhorancë nuk kërkon që “shoqërinë civile ta fusë në sqetull, por ta ketë partner real”.
“Nuk kisha dyshim që parafolësja do të ishte mbështetëse sa i përket ligjit dhe modelit që kemi zgjedhur. Është një mundësi më shumë që të kemi një dialog të hapur me përfaqësues të denjë të shoqërisë civile. Pse përfaqësues i ministrisë? Për t’i dhënë autoritet këtij këshilli, i cili është një mundësi më shumë që krijon qeveria me qëllim që përfaqësues të shoqërisë civile të kenë ku të trokasin, të kenë ku të ngrenë shqetësimet e tyre dhe të kenë mundësinë që ato që bëjmë, t’i bëjmë së bashku. Ne sjellim një diferencim pozitiv, pasi mazhorancën do ta kenë përfaqësuesit jo të qeverisë. Këshilli vjen si një model i munguar, por pritet të ecë dhe të funksionojë më mirë, që përfaqësues të shoqërisë civile të kenë ku të trokasin”, - tha Klosi.
Klosi shkoi edhe më tej kur tha se fondet e Agjencisë për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile e ngritur nga qeveria e djathtë, janë përqendruar vetëm në 5 organizata të lidhura me pushtetin.
“Unë kam këtu të gjitha projektet që nga tetori i vitit 2010, kur AMSHC-ja ka filluar të funksionojë, e deri në prill të 2014ës. Po të shikosh projektet, fatkeqësisht, në kohën kur ju e keni drejtuar këtë institucion, këto projekte kanë qenë të gjitha të përqendruara në pak duar. Në vitet 20102013 fondet e AMSHC-së në 4 vite janë të përqendruara vetëm në 5 organizata, në 5 anëtarë të ish-institucionit që ju keni përfaqësuar. Vetëm 5 organizata kanë marrë pjesën më të madhe të buxhetit të lidhura me pushtetin që ju përfaqësonit. Vetëm 5 njerëz pranë qeverisë kanë marrë fondet e shoqërisë civile kur ju drejtonit”, u shpreh ministri Klosi.
Por deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ishte edhe më i drejtpërdrejt, edhe pse u kujdes të mos përmendë emra. Braçe tha se fondet i kanë kaluar 5 OJF-ve, tre prej të cilave rezultojnë të një personi të vetëm. Në fjalën e tij deputeti socialist ju drejtua ish-kryeministrit Sali Berisha, kur i tha se këto fonde kanë shkuar për universitetin Europian të drejtuar nga Henri Çili. Braçe nuk e përmendi emrin, por detajet që ai tha, siç është libri i mbesës së Berishës Dasara Malltezit, i botuar nga ky universitet që merrte edhe paratë e Agjencisë për Shoqërinë Civile, te cojne te ai Europian.
“Krijove një Agjenci për Shoqërinë Civile dhe emëruat një grup njerëzisht në krye dhe ju njoh edhe meritën që përmes buxhetit të shtetit financuat shoqërinë civile, i ke këto merita. Por nuk mund të pranoj që këto para të shkojë në 5 OJF dhe 3 të jenë vetëm të një njeritu, ai të priste ty në univesitetin e vet dhe në bibliotekë ke dhe një libër që duhet të jetë krenaria e cdo gjyshi të botuar nga ky universitet. Buk përmenda emra, por i ke me emra këtu”, tha Brace duke ju referuar dokumenteve.
^Mbesa e ish-kryeministrit Berisha gjate promovimit te librit te saj te botuar nga UET
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)