Bruksel/9,mars/ATSH/Edicioni i nëntë i festivalit "Balkan Trafik", i cili do të nisë nga 23 prill e deri më 26 prill në Bruksel, tanimë ka bërë të ditur emrat e grupeve dhe këngëtarëve që do të marrin pjesë.
Festivalin me datë 24 prill do ta çelë këngëtari Goran Bregoviç, një figurë e njohur në Evropë për muzikën e tij ballkanike. Kulturat e ndryshme që e inspirojnë muzikën e Bregoviç, janë ajo turke, bullgare, rome dhe meloditë e jazz-it nga qyteti i tij i lindjes, Sarajeva.
Ansambli Lunxhëria nga Shqipëria vjen një ditë më pas, në një performancë me këngë polifonike, vallëzimin tradicional folklorik dhe kostume të trevave të ndryshme shqiptare.
Emrat tjerë që do të performojnë në festival janë edhe Bleri Leshi, Karsilama Quartet, Trio Mandili, ndërsa gjatë ditëve të festivalit do të shihen filma nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Bruksel.










