I shoqëruar me debate të shumta, ligji për Investimet strategjike, u miratua në vitin 2015, me një afat 3 vjeçar. Në fokus ishin investimet në sektorë prioritar si turizmi, energjia, transporti, bujqësia apo zonat teknologjike. Që nga ajo kohë, afati i ligjit u shty të paktën 6 herë, dhe është në fuqi deri në 31 dhjetor të këtij viti.
Afati fillestar ishte 31 dhjetor 2018, më pas u shty me propozim të socialistëve për në fund të 2019-ës, pastaj për në 2020, për të vijuar më tej duke zgjatur afatin për në 2021-shin dhe në fund të 2021-shit u shty për në vitin 2023. Kohë më vonë me një propozim të Eduart Shalsit u shty për në dhjetor 2024-ës, dhe hera fundit që është zgjatur afati ishte me propozim të ish deputetes së PS-së, Pranvera Resulaj për në 31 dhjetor 2026).
Mesa duket për të shmangur një shtyrje të shtatë, shumica ka zgjedhur hartimin e një ligji të ri. Nisma do të hartohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, e pritet të jetë gati për konsultim publik në verën e këtij viti, dhe më pas të kalojë në parlament për t’u miratuar.
Ligji aktual lindi si një propozim për nxitjen kryesisht të investimeve të huaja në sektorë strategjikë, përmes lehtësirave që ofronte, si ato fiskale ashtu dhe infrastrukturore, apo dhe procedura adminstrative të përshpejtuara. Por në fakt përfituesit më të mëdhenj rezultojnë të kenë qenë sipërmarrësit vendas.
Nuk është e qartë ende se çfarë ndryshimesh do të sjellë nisma e re, nëse do të ketë një zgjerim të lehtësirave apo kufizim të tyre. Deri më tani, në një dekadë, sektori më i preferuar për investimet strategjike, rezulton të ketë qenë turizmi, me një numër të lartë objektesh kryesisht në vijën bregdetare të vendit.
Komente






