Nuk kanë të sosur çudirat e shqiptarëve nëpër botë, ndonëse jo për veprime për të cilat mund të krenohemi. Si nëpër filma aksion dy shqiptarët në Britani kanë mundur t’i arratisen në mënyrë spektakolare policisë duke e sfiduar atë më shumë se një herë.

Një 22-vjeçari shqiptar, Resul Rahova është dënuar me 6 vite burg (17 tetor) në Britani pasi është shpallur fajtor nga gjykata e Southwark Crown nën akuzën e trafikut të drogës.

22-vjeçari në momentin e arrestimit ishte duke e drejtuar automjetin me shpejtësi marramendëse. Gjatë rezistencës përpara forcave të policisë i riu pësoi edhe disa dëmtime ndërsa iu hoq për tre vite leja e drejtimit. 

I riu kishte dhe një bashkëpunëtor. Bashkim Gurguri 46 vjeç i cili po ashtu është dënuar me 4 vite burg për trafik të kokainës. 

Fillimisht dy shqiptarët u ndaluan nga policia në 1 gusht e pas kontrollit iu gjet një valixhe e dyshimtë. Agjentët u përpoqën të ndalonin makinën por 22-vjeçari nuk iu bind urdhërit duke ecur me shpejtësi drejt policëve. Shqiptarët arritën të shpëtonin duke u hedhur nga makina e duke humbur gjurmët.

Por fati jo gjithmonë do të ishte me shqiptarët sepse shumë shpejt do të binin në duart e autoriteteve. Gurguri u arrestua në Manns Road ku gjatë kontrollit në çantën e udhëtimit 11 kg kokainë, e cila kap vlerën e gjysmë milion paund (më konkretisht 456 500 paund), ndërsa nëse do të shitej në tregun me pakicë, çmimi i saj do të ishte shumë më i lartë, duke kaluar shifrën e 1 milionë paundve. Këtë çantë 46-vjeçari do ia dorëzonte Rahovës.

Ndërsa një javë më vonë pas arrestimit të 46-vjeçarit policia arriti të gjurmonte Rahovën. Sërish ai tentoi t’i shpëtonte policisë duke vrapuar në një zonë të pyllëzuar. Gjatë tentativës ai nuk kurseu as policin duke e kafshuar në këmbë.

Policia britanike i ka konsideruar dy shqiptarët si dy persona të rrezikshëm, të cilët arritën të arratiseshin dhe rrezikuan sigurinë e të gjithëve

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com