LONDËR - Kryeministri britanik, David Cameron, paralajmëroi sot votuesit se po hidhen në të panjohurën nëse fiton "Po"-ja në referendumin që zhvillohet javën që vjen mbi pavarësinë e Skocisë.
"Britania e Madhe është një vend i çmua dhe i veçantë. Kjë është në lojë. Pra të mos i lemë dyshime skocezëve, ne duam që ju të rrini, nuk duam që kjo familje kombesh të shpërbëhet", shkruan Cameron në të përditshmen angleze "Daily Mail".
"Nëse Britania e Madhe shpërbëhet, do të shpërbëhet për gjithmonë. Pra zgjidhja që keni është e qartë: një hap në të panjohurën me 'Po'-në, ose një e ardhme më e mirë me 'Jo'-në e Skocisë", vazhdoi ai.
Kryeministri konservator shtoi se nëse votohet "Jo", Skocia do të qëndrojë në bashkim, por me kopetenca të përforcuara për Parlamentin e Edinburgut, për sa i përket të ardhurave, taksave dhe shpenzimeve./ATSH/