LONDËR- Të 46 pengjet turke të liruara në fund të shtatorit nga organizata e Shtetit Islamik (ISIS) u përdorën si shkëmbim me rreth 180 xhihadistë të burgosur, ku shumica ishin me origjinë evropiane, raportoi sot media britanike.
"Mes këtyre xhihadistëve të huaj figurojnë tre francezë, dy britanikë, dy suedezë, dy maqedonas, dy zviceranë dhe një belg", theksoi The Times.
Gazeta pretendon se mbështetet në një listë ku ndodhen emrat e luftëtarëve të ISIS-it të liruar nga Turqia dhe këto informacione janë konfirmuar nga burime brenda shërbimeve sekrete.
Në fund të shtatorit, e përditshmja turke "Hurriyet" theksonte se lirimi i 50 pengjeve turke u krye në këmbim të xhihadistëve të ISIS-it. Por burimet qeveritare turke refuzuan të komentojnë këto informacione./ATSH/