/ATSH-AFP/ - Bashkimi Europia premtoi sot mbështetjen  e tij për Kenian në luftën kundër terrorizmit, pas sulmit të kryer një ditë më parë nga islamikët somalezë të Al-Shebabit kundër studentëve të Universitetit të Garisas duke shkaktuar vdekjen e 147 personave.

"BE-ja përsëriti angazhimin e saj për të mbështetur qeverinë dhe popullin kenian për të mposhtur kërcënimin terrorist", theksoi në një komunikatë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

"Kenia mund të mbështetet në solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe ne do të punojmë për të rritur mbështetjen për përpjekjet e Kenias për të luftuar kundër terrorizmit", shtoi Mogherini.

"Ekstremizmi po dhunon përsëri të drejtën e popullit kenian për të jetuar në paqe si dhe liri fetare", shtoi ajo.

Të paktën 147 persona, kryesisht studentë, u vranë dje pas një sulmi të kryer nga një komando islamike e Al Shebabit kundër Universitetit kenian të Garissas, në lindje të Kenias, sipas një bilanci të ri të njoftuar nga qendra kombëtare për menaxhimin ne katastrofave (NDOC).