BRUKSEL, 9 mars /ATSH-ANA-MPA/ - Me shtatë reforma paraqitet Greqia në takimin e Eurogrupit që do të mbahet sot në Bruksel dhe sipas burimeve qeveritare greke do të fillojë procedura e përpunimit të propozimeve të vendit, procedurë që do të jetë pikënisja për të ndryshuar jo vetëm klima e krijuar, por edhe vendimet e BQE-së.
Sipas të njëjtave burime, Greqia do të shtrojë kuadrin e vendimit të BQE-së të 20 shkurtit, kuadër që bazohet në angazhimet që mori jo vetëm vendi, por edhe partnerët.
Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka filluar një tjetër raund kontaktesh ndërkombëtare.
Të enjten do të shkojë në Paris, ku do të flasë në konferencën e OECD-së mbi reformat që do të bëhen në Greqi për riorganizimin e administratës publike dhe rehabilitimin e drejtësisë sociale.
Më herët, kryeministri ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e BQE-së, Mario Draghi dhe presidentin francez, François Hollande.
Cipras dhe Hollande premtuan një bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha fushat. Gjithashtu u ra dakord që të zhvillohet menjëherë në Paris një takim mes ministrave të Financave të të dy vendeve, ndërsa një takim i tillë do të zhvillohet edhe në Athinë./ a.jor.