BRUKSEL, 20 mars /ATSH-ANA-MPA/ - Autoritetet greke do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e reformave dhe do të prezantojnë një listë të plotë me reforma konkrete ditët e ardhshme, në kuadër të marrëveshjes së 20 shkurtit, ndërsa Eurogrupi është i gatshëm të mblidhet sërish sa më shpejt që të jetë e mundur, sipas komunikatës që u publikua pas takimit të shtatëshes, ku bënin pjesë kryeministri grek, Cipras, kancelarja gjermane Merkel, presidenti francez Hollande, presidenti i BQE-së Draghi, presidenti i Komisionit Evropian Juncker, kryetari i Këshillit Evropian Tusk dhe kreu i Eurogrupit, Dijsselbloem, që u zhvillua dje në mbrëmje në Bruksel.
Në komunikatën e rastit, që u publikua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, mes të tjerash thuhet se "pranojmë absolutisht marrëveshjen e 20 shkurtit 2015. Në frymën e besimit reciprok, angazhohemi të përshpejtojmë punën tonë dhe ta finalizojmë sa më shpejt që të jetë e mundur".
"Në kuadër të marrëveshjes të Eurogrupit të 20 shkurtit, autoritetet greke do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e reformave dhe do të prezantojnë një listë të plotë reformash konkrete ditët e ardhshme", theksohet në të.
"E vendosëm sërish procesin në binarë", deklaroi kryeministri Cipras, pas përfundimit të takimit shtatëpalësh.
Ai theksoi se gjithë palët rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, me qëllim që të përballohen vështirësitë.
"Është e qartë se Greqia nuk ka detyrimin që të marrë masa shtrënguese", nënvizoi kryeministri grek./ a.jor.