Komisioni Evropian mbështet plotësisht objektivin për të ndihmuar më të varfërit në Greqi dhe nuk do të vendosë veto ndaj masave të urgjencës që qeveria e Aleksis Cipras po përgatitet të votojë, theksoi sot komisioneri evropian Pierre Moscovici.
Ai iu përgjigj informacioneve të shtypit, sipas të cilave Brukseli do të pengonte Greqinë të votonte këtë projektligj për të ndihmuar qytetarët më të varfër, te goditur nga kriza.
Çështja është pjesë e publikimit në blogun e tij nga një gazetar i "Channel 4 News", Paul Mason, i një mesazhi të Declan Costello, përfaqësues i Komisionit Evropian. Në këtë tekst, Costello kërkon zhvillimin paraprak të bisedimeve të duhura para votimit të ligjit humanitar.
"Ne mbështesim plotësisht objektivin për të ndihmuar më të varfërit në shoqërinë greke, nuk është çështja për vendosjen e ndonjë vetoje kundër një projektligji humanitar ashtu si kam parë të raportohet në disa media", deklaroi Moscovici.
Costello ka dashur të nënvizojë se ka një marrëveshje dhe që autoritetet greke duhet të punojnë me institucionet, gjë që përfshin dhe bisedimet", theksoi ai.
"Ne kemi nevojë të mund të vlerësojmë ndikimin buxhetor, të verifikojmë cilat janë propozimet e tjera që mund të përfshihen në këtë ligj buxhetor, që mund të kenë një ndikim në aspektin e shpenzimeve", nënvizoi Moscovici në një konferencë shtypi në Bruksel./
/atsh/