Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Takimi i Ministrave të NATO-s konfirmon unitetin dhe angazhimin strategjik të Aleancës përballë sfidave shumëdimensionale të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.

"Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s, për angazhimin strategjik të Aleancës sonë përballë sfidave të sigurisë, ku Shqipëria mbetet një aleat i besuar për forcimin e sigurisë kolektive", shkroi Spiropali në rrjetet sociale.

Spiropali thekson se "Shqipëria rikonfirmon angazhimin për mobilitetin ushtarak dhe rolin qendror të Korridorit VIII si arterie strategjike e gatishmërisë së NATO-s."

"Ne dhe aleatët mbetemi të përkushtuar në modernizimin e infrastrukturës, harmonizimin e procedurave dhe rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës", shkruan Ministrja.

Në qendër të diskutimeve të këtij ministeriali do të jenë angazhimet e marra në Samitin e Hagës, vijimi i mbështetjes së palëkundur për Ukrainën, si dhe masat për forcimin e kapaciteteve të Aleancës kundër kërcënimeve të gjithanshme, përfshirë ato hibride.

Spiropali do të marrë pjesë gjithashtu në Takimin e vendeve nënshkruese të Letër-Marrëveshjes për Korridorin VIII, si arterie strategjike e mobilitetit ushtarak.

Në këtë takim pritet të diskutohet rëndësia strategjike e avancimit të lëvizshmërisë së trupave dhe pajisjeve ushtarake në rajon, si dhe ftesa shqiptare për të mbajtur një takim Ministerial të vendeve nënshkruese në fillim të vitit të ardhshëm në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:37
Spiropali nga Brukseli: Shqipëria pret vitin e ardhshëm Forumin e Korridorit VIII

1764776307_aa.JPG

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thotë se Shqipëria do të pres vitin e ardhshëm Forumin e Korridorit VIII.

Spiropali thotë se Korridori VIII është për vendin tonë me rëndësi politike, ekonomike, infrastrukturore dhe të sigurisë Euro-Atlantike.

'NATO, Bruksel-Shqipëria gati të mirëpresë Forumin e Korridorit VIII.  Së bashku me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, dakordësuam me Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë për mbajtjen në Tiranë të Forumit gjatë muajit shkurt 2026.

Për Shqipërinë, Korridori VIII mbetet një korridor historik dhe strategjik, me rëndësi politike, ekonomike, infrastrukturore, të sigurisë Euro-Atlantike që lidh Adriatikun me Detin e Zi, dhe e kthen Shqipërinë në një nyje me rëndësi në rajon dhe më gjerë', shkruan ajo.