Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori kritikoi 'heshtjen' e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike në lidhje me protestën e banorëve të Rrjollit kundër resortit të Bashkim Ulajt në Velipojë.
“Sali Berisha bëhet 'super diplomat kur i duhet të flasë për protestën e banorëve të Rrjollit kundër Bashkim Ulajt. Berisha mund ta bëjë mizën buall për çdo gjë, por në këtë rast buallin e bën mizë” tha ai gjatë një interviste me emisionin Studio Live në Report TV, duke insistuar në qëndrimin e Lëvizjes Bashkë kundër asaj që ai e quajti ‘oligarki ekonomike.’
Banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik nga kompania 'Gener 2' me argumentin se zona ku parashikohet zhvillimi i projektit përfshin toka që ata i konsiderojnë pronë të ligjshme.
Përfaqësues të komunitetit i janë drejtuar Prokurorisë me dokumentacionin e pronësisë, si dhe Bashkisë Shkodër, për të kërkuar sqarime lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien e lejes së ndërtimit, duke insistuar për verifikim institucional dhe transparencë mbi procesin administrativ.
Lajmi kryesor:
Lëvizja Bashkë dënon dhunën në protestën e Berishës, Arlind Qori për Report TV: Inskenim i papranueshëm, shenjë e impotencës!












