Janë nxjerrë nga miniera e Bulqizës pas pesë ditësh, trupat e pajetë të tre minatorëve kinezë, të cilët humbën jetën të shtunën e kaluar pas shpërthimit të gazit hidrogjen në minierë. 

Punimet për nxjerrjen e tre minatorëve të pajetë nga thellësia e minierës së Bulqizës, nisën një ditë më parë, por u vështirësuan si rrjedhojë e shpërthimeve të gazit hidrogjen në thellësi. 

Trupat e pajetë të minatorëve janë dërguar në morgun e Tiranës ku do t'u bëhet ekspertiza mjeko ligjore, ndërsa do të jetë ambasada Kineze ajo që do të vijojë më tej me procedurat e dërgimit të të ndjerëve në atdheun e tyre. 

Tre minatorët kinezë u gjetën pasditen e djeshme në nivelin e 21 të minierës.

Megjithë vështirësitë e krijuara, puna për nxjerrjen e minatorëve, rinisi në orën 07:00 të mëngjesit të kësaj të premte.

Tre minatorët kinezë humbën jetën një javë më parë në minierën e Bulqizës pasi shpërtimit të gazit hidrogjen. Nga ky incident mbetën të plagosur dhe tre minatorë të tjerë.  

Ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve që po zhvilloheshin në kuadër të investimit për hapjen e pusit të thellësisë që do të shtojë jetëgjatësinë e kësaj zone mineralmbajtëse.

[gallery]20983[/gallery]
Ora 15:00 Trupat e tre minatorëve dërgohen në morgun e Tiranës
Trupat e pajetë të tre minatorëve janë dërguar në drejtim të morgut të Tiranës, pas nxjerrjes nga miniera. Do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes së tyre. 

Ora 14:20 Nxirren nga miniera trupat tre minatorëve kinezë
Janë nxjerrë nga miniera e Bulqizës trupat e pajetë të tre minatorëve kinezë, të cilët humbën jetën të shtunën e kaluar pas shpërthimit të gazit hidrogjen në minierë. 

Ora 13:50 Gjiknuri: Hetim shkaqeve të incidentit
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të tre minatorëve kinezë në minierën e Bulqizës.  

Gjiknuri thekson se për incidentin e rëndë, Ministria e Energjisë do të nisë një hetim për të zbardhur shkaqet. 

"Pas shtatë ditësh kërkimesh intensive të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave dhe kompanisë kineze, para pak minutash u bë e mundur nxjerrja në sipërfaqe e trupave të pajetë të tre minatorëve shtetas kinez që kishin mbetur në nivelin e 21-të, pas aksidentit tragjik të së shtunës së kaluar. Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, Ministria e Energjisë e Industrisë dhe Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave u angazhuan maksimalisht dhe morën masat e nevojshme për kryerjen e operacionit të vështirë të kërkim-shpëtimit.

Gjej rastin të shpreh ngushëllimet e mia të thella familjeve, miqve dhe të afërmve të minatorëve që humbën jetën në këtë aksident. Shpirti i tyre u prehtë në paqe!

Njëkohësisht dua të shpreh falenderimet e mia dhe për grupet avaro/shpëtuese që punuan në kushte jashtëzakonisht të vështira, natën e ditën, me shpresën se do të arrinin të nxirrnin të gjallë prej fundit të minierës tre punëtorët kinez. Shpresë e cila u shua fatkeqësisht mbrëmjen e kaluar kur u gjetën trupat e pajetë në vatrën e aksidentit.

Pas nxjerrjes së trupave, autoritetet shtetërore do të analizojnë dinamikën dhe shkaqet e këtij aksidenti për të garantuar marrjen e të gjitha masave të nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten
", thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Gjiknurit.

Ora 13:30 Nxirren në nivelin e 5-të trupat e pajetë të minatorëve kinezë
Pas 6 ditësh të bllokuar, tre minatorët kinezë që humbën jetën nga një shpërthim në minierën e Bulqizës, janë nxjerrë këtë të premte deri në nivelin e 5 të minierës. 

Ora 10: 39 Nishani: Lajm i kobshëm, hetim përgjegjësve
Presidenti Bujar Nishani u shpreh ngushëllimet për humbjen tragjike të jetës së tre minatorëve kinezë në Bulqizë
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen tragjike të jetës nga tre minatorët kinezë në minierën e Bulqizës, trupat e të cilëve u gjetën mbrëmë pas gjashtë ditë kërkimesh intensive.
 
Tragjedia e papritur e ndodhur në minierën e Bulqizës ditën e shtunë si pasojë e shpërthimit të gazit hidrogjen, që fatkeqësisht bllokoi nëntokë në krye të detyrës tre minatorë, duke plagosur edhe tre të tjerë, për më tepër qytetarë kinezë, të cilët punonin dhe jetonin në vendin tonë, duke u përpjekur të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më ngjalli një ndjenjë ankthi të parrëfyer për fatin e tyre.
 
Gjatë gjithë këtyre ditëve i kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim, pse jo edhe me shpresë, përpjekjet e mundimshme që po bëheshin për shpëtimin e tyre, por mbrëmë më mbërriti lajmi i kobshëm për gjetjen e trupave pa jetë të tre minatorëve, të cilin e prita me hidhërim të madh.
 
Gjej rastin të përsëris apelin tim institucional, por edhe njerëzor, që të merren të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda e tragjike të mos përsëriten më në galeritë e minierave shqiptare si dhe të vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të mundshëm.
 
Me këtë rast të dhimbshëm dëshiroj të shpreh si Kryetar i Shtetit, por edhe në emër të gjithë qytetarëve ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin për familjet dhe të afërmit e viktimave dhe të ndaj me ta solidaritetin e mbarë popullit shqiptar për ata tre njerëz punëtorë dhe të sakrificave"
, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të presidentit Nishani.

Ora 10:00 Vijon puna për pastrimin e gazit në minierë
Rreth tre orë nga rinisja e operacionit për nxjerrjen e trupave të pajetë të tre minatorëve, ende vijon puna për pastrimin e gazit në minierë. 

Ora 07:00 Rinis operacioni për nxjerrjen e trupave të minatorëve
Rinis operacioni për nxjerrjen e trupave të pajetë të minatorëve kinezë nga miniera e Bulqizës. Operacioni u ndërpre orët e para të mëngjesit të kësaj të premte, për shkak të shpërthimeve të gazit hidrogjen në minierë. Aktualisht ekspertët po bëjnë pastrimin e pusit nga gazi dhe më pas puna do të përqendrohet në nxjerrjen e trupave të tre minatorëve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com